Prokuroria Speciale e ngarkon për vrasjen e 14 shqiptarëve e shumë krime të tjera në rajonin e Pejës gjatë kohës së luftës, por serbi Millorad Gjokoviq, të enjten, nuk e pranoi asnjë. Në shqyrtimin fillestar, avokati i tij kërkoi që t’i ndërrohet masa, nga paraburgimi në arrest shtëpiak, duke ofruar edhe 20 mijë euro garanci
Millorad Gjokoviq, i akuzuar për krime lufte ndaj popullsisë civile në rajonin e Pejës, është deklaruar i pafajshëm, të enjten.
Gjatë shqyrtimit fillestar të rastit në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të pandehurit iu lexua aktakuza nga prokurori special, Ilir Morina.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale, krim i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale”, ka lexuar prokurori Morina.
Por, Gjokoviqi e mohoi akuzën.
“Deklarohem i pafajshëm”, ka thënë ai në gjykatë.
Gjokoviqi akuzohet se gjatë kohës së luftës në fshatin Ozdrim të Pejës individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka kryer vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestim, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim të dhjetëra civilëve shqiptarë, si dhe plaçkitje e djegie të shtëpive të popullsisë shqiptare.
Prokuroria e mban atë përgjegjës për vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë, pastaj për tre të tjerë që ishin marrë nga Spitali i Pejës dhe pas ekzekutimit u varrosën në fshatin Llutogllavë, si dhe për pesë persona të tjerë të vrarë e që ende rezultojnë të zhdukur.
Vasilie Arsiq, avokat i të pandehurit Gjokoviq, ka kërkuar që klientit të tij t’i zbutet masa, nga paraburgimi në arrest shtëpiak, duke ofruar edhe 20 mijë euro si garanci.
Prokurori Morina e kundërshtoi kërkesën, e cila u refuzua edhe nga gjyqtari Valon Kurtaj.
“I pandehuri jeton vetëm këtu. Familja i jeton në Mal të Zi. Ka dyshtetësi, të Serbisë dhe Malit të Zi, dhe ashtu siç e ka theksuar edhe Apeli në arsyetim, mundësia e arratisjes është evidente”, ka thënë prokurori Morina.
Në këtë proces gjyqësor është paraparë të dëshmojnë katër persona, banorë të fshatit Ozdrim dhe të qytetit të Pejës.