Në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë serbët lokalë kanë adresuar “Deklaratën e Vidovdanit”, nëpërmjet së cilës janë kërcënuar që në rast se Kosova i vazhdon aktivitetet dhe arrestimet e saj, atëherë serbët do të detyrohen që të kundërpërgjigjen. Një ditë para Vidovdanit ata i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i mbrojë serbët nga autoritetet e Kosovës
Një mesazh kërcënimi u është përçuar autoriteteve në Kosovë nëpërmjet dokumentit të quajtur “Deklarata e Vidovdanit”, që të martën u shpalos në tubimet protestuese të serbëve lokalë në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë.
Në deklaratën e lexuar nga zyrtarë të Listës Serbe, një ditë para Vidovdanit, u paralajmërua që nëse autoritetet në Kosovë i vazhdojë aktivitetet dhe arrestimet e serbëve, atëherë do të pasojë kundërpërgjigjja e qytetarëve serbë që jetojnë në gjithë Kosovën.
“Ne serbët nga veriu i Kosovës kemi një porosi, se nëse vazhdon ‘zullumi’ ndaj popullit tonë, do të detyrohemi t’u përgjigjemi të gjithë atyre që na e duan të keqen, të cilët ëndërrojnë për luftë në vend të paqes, dhe do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë për mbijetesë dhe për mbrojtjen e shtëpive dhe familjeve tona”, tha Dragisha Milloviq, ish-kryetar i Zveçanit.
Leximi i deklaratës u përcoll me këngë nacionaliste e me flamuj serbë gjatë protestës së serbëve lokalë që mbanin në duar pankarte në të cilat shkruante: “S’ka dorëheqje, s’ka dorëzim”, “Na lironi vëllezërit e arrestuar”, “Kurti, nuk ta japim Veriun” e “Serbia është nëna jonë, nuk ua jep Kosovën”.
E njëjta deklaratë u lexua edhe para serbëve të mbledhur në Graçanicë, në protestën kundër arrestimit të serbëve.
Aty, kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i mbrojë serbët nga, siç tha, autoritet e Kosovës, por nuk e specifikoi rrezikun që atyre u kanoset.
“Dhe sot dua që shumë qartë të porosis se nuk kemi problem me popullin shqiptar, problemin e kemi me një njeri, i cili shumë qartë po tregon se nuk i do serbët në këto hapësira. Ne kemi problem me Albin Kurtin dhe me regjimin e tij në Prishtinë”, tha Jevtiq.
Në deklaratë përmendet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, si mekanizëm për të cilin theksohet se u pajtuan Kosova e Serbia dhe që duhet t’u sigurojë autonomi më të madhe serbëve në Kosovë.
Serbët nga Kosova, nga Serbia e nga vendet e rajonit tradicionalisht e shënojnë Vidovdanin çdo 28 qershor në Gazimestan, vendi i memorialit të Betejës së Kosovës rreth 10 kilometra larg Prishtinës. Sivjet, shënimi është paralajmëruar të mbahet në Graçanicë, si rrjedhojë e situatës së sigurisë. E në dy vjetët e shkuar, në tubimet e mbajtura për këtë rast ka pasur edhe arrestime për nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare.