LAJMET E MBRËMJES

Sekiraqa dënohet me 25 vjet burgim, 17 vjet pas vrasjes së Triumf Rizës

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar për të tretën herë Enver Sekiraqën për “nxitje të vrasjes së rëndë” të policit Riza. Për dallim nga dy vendimet e mëhershme lidhur me rastin, gjatë së cilave atij i ishte shqiptuar dënimi prej 37, respektivisht 30 vjetësh burgim, Sekiraqa të premten është dënuar me 25 vjet heqje lirie

Rreth 17 vjet që pas vrasjes së policit Triumf Riza, Enver Sekiraqa është dënuar të premten me 25 vjet burgim, për veprën penale të nxitjes në vrasje të rëndë. Kjo është hera e tretë që ai dënohet lidhur me vrasjen e kryer në vitin 2007.

Rreth 15 vjet më parë, për vrasjen e Rizës është dënuar Arben Berisha, porse hetuesia pati pretenduar që vrasësi ka qenë i nxitur nga Sekiraqa.

Agim Kuçi, kryetar i trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nuk ka dhënë hollësi për përcaktimin e dënimit teksa e ka lexuar vendimin e trupit kolegjial.

“I akuzuari Enver Sekiraqa është fajtor për veprën penale: ‘nxitje në vrasje të rëndë’, paragrafi 3 dhe 9 në lidhje me nenin 24 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe i njëjti gjykohet me dënim me burgim me kohëzgjatje prej 25 vjet, me të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak”, ka thënë ai në seancën e së premtes.

Aktakuza kundër Sekiraqës është ngritur më 2014. Brenda dhjetë vjetësh, gjykata ka arritur që dy herë të nxjerrë verdikt për rastin vetëm në shkallë të parë, pasi që vendimet janë prishur në shkallën e dytë.

Herën e parë, më 17 maj të 2016-s, Sekiraqa u pat dënuar për dy vepra penale – atë për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe “detyrim” – me dënim unik prej 37 vjetësh burgim, ndërsa u pati liruar nga përgjegjësia për veprën penale “dhunim”.

Një vit e gjysmë më vonë, Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin e shkallës së parë dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim. Gjykimi ishte finalizuar më 16 shtator të vitit 2019, kur kjo gjykatë e shpalli për herë të dytë fajtor Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Riza dhe i ka shqiptuar dënim prej 30 vjetësh burgim.

Rasti është ankimuar sërish në shkallën e dytë dhe në marsin e 2020-s, Apeli e ka kthyer prapë në rigjykim, me justifikimin se aktgjykimi i shkallës së parë është marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Në herën e tretë të premten, dënimi që i është shqiptuar Sekiraqës është për 12 vjet më i ulët se sa ai i pari.

Triumf Riza, pjesëtar i njësisë speciale të Policisë së Kosovës, është vrarë me armë zjarri më 30 gusht të 2007-s, në parkingun prapa lokalit “Santea”, në lagjen Dardania në kryeqytet.

Pas një kohe të gjatë në arrati, Sekiraqa u është dorëzuar autoriteteve në vitin 2012 dhe që atëherë e ka vuajtur dënimin rreth një incidenti me policët, të cilët tashmë janë në burg dhe të akuzuar për shpërthimin në lokalin e tij në Prishtinë.