LAJMET E MBRËMJES

Seancë e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita, e treta brenda javës

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga Vetëvendosje që të marrë pjesë në këtë seancë, pasi ajo i bojkoti të dy seancat e fundit të ftuara nga opozita. “Nga ajo që dihet, dëmi që i është shkaktuar vendit tonë në këtë proces të shlyerjes së jashtëligjshme të borxheve është rreth 11 milionë euro”, ka thënë ai. Ditëve të kaluara, opozita ka mbajtur dy seanca të jashtëzakonshme, pa praninë e pushtetit, një për telefonatat mes Mimoza Kusari Lilës dhe zyrtarë të Listës Serbe dhe një tjetër për ushqimin e mangët në FSK

Të mërkurën do të mbahet seanca e tretë e jashtëzakonshme që opozita e ka ftuar brenda një jave për të diskutuar lidhur me zhvillimet politike në vend.

Me kërkesë të Partisë Demokratike, 41 deputetë opozitarë janë pajtuar që Kuvendi të diskutojë për procesin e përllogaritjes dhe shlyerjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit nga Ministria e Mjedisit, çështje për të cilën një javë më parë u arrestuan dy zyrtarë të Ministrisë. 

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga Vetëvendosje që të marrë pjesë në këtë seancë, pasi ajo i bojkoti të dy seancat e fundit të ftuara nga opozita.

“Nga ajo që dihet, dëmi që i është shkaktuar vendit tonë në këtë proces të shlyerjes së jashtëligjshme të borxheve është rreth 11 milionë euro”, ka thënë Tahiri.

Gjatë së hënës portali “Nacionale” ka publikuar disa biseda mes koordinatores së Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i akuzuar për korrupsion, e i cili sipas videove, nga Mihali merr instruksione se si ta kryejë detyrën si kryeshef.

Në njërën prej bisedave Mihali udhëzon të mos ndalet rryma.

Për këtë, në të njëjtën seancë të jashtëzakonshme, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se do të trajtohet edhe udhëheqja, sipas tij, e kundërligjshme e sistemit energjetik nga Dejona Mihali.

“Është e jashtëligjshme, kur një person, siç është në këtë rast, Dejona Mihali, i kërkon drejtorit të Kompanisë Energjetike të Kosovës të kontaktojë me drejtorin e kompanisë energjetike shqiptare Ergys Verko, në mënyrë që Kosova të mos ketë reduktime. Të nderuar gazetarë dhe qytetarë, Kosova i ka institucionet e saj që e përcaktojnë tregtimin e energjisë elektrike”, ka thënë Tahiri.

Për bisedat e publikuara Mihali-Krasniqi ka reaguar edhe Lidhja Demokratike duke u bërë thirrje organeve të drejtësisë për hetim të menjëhershëm.

“LDK-ja në vazhdimësi ka folur për ekzistencën e një strukture kriminale parapolitike të partisë në pushtet, që nëpërmjet një skeme shumë mirë të organizuar e të kontrolluar deri në detaje - nga menaxhimet e komunikimeve ditore, tek oraret e reduktimeve të energjisë elektrike për qytetarët; nga punësimet e paligjshme, deri te 150 tenderët sekretë - ka organizuar një skemë kriminale pa frikën e përgjegjësisë dhe pa brengën e llogaridhënies”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Në kërkesën e opozitës drejtuar kryeparlamentarit për seancë të jashtëzakonshme është propozuar edhe një rezolutë dypikëshe.

Me të i kërkohet Prokurorisë të hetojë personat e përfshirë në faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit dhe i kërkohet Qeverisë që brenda 15 ditëve të anulojë të gjitha vendimet e marra për shlyerje të borxheve.

Ditëve të kaluara, opozita ka mbajtur dy seanca të jashtëzakonshme, pa praninë e pushtetit, një për telefonatat Mimoza Kusari Liila me zyrtarë të Listës Serbe dhe një tjetër për ushqimin e mangët në FSK.