Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar masë paraburgimi ndaj katër “pelegrinëve” serbë, ku pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, të dielën, u njoftua se njëri prej tyre ishte toger i policisë së Serbisë, ndërsa një tjetër kapiten i ushtrisë së këtij vendi. E dy nga katër serbët e arrestuar konfirmuan se punojnë në institucione serbe të sigurisë.
Dy nga katër serbët e arrestuar në Gjakovë gjatë fundjavës, pasi iu gjetën armë të ftohta, kanë konfirmuar se punojnë në institucione të sigurisë të Serbisë.
Pavle Kragoviq ka thënë se punon inspektor i Policisë në Kragujevc, ndërsa Milovan Steviq deklaroi se është doktor stomatolog, në akademinë ushtarake të mjekësisë në Beograd.
Në gjykatore për seancën dëgjimore lidhur me masën e sigurisë në Gjykatën Themelore në Gjakovë dolën edhe Branko Rakiq, i cili deklaroi se është teknik i komunikacionit dhe Nemanja Vamoviq, që tha se është inxhinier i pylltarisë.
Prokurorja Venera Shala gjatë leximit të kërkesës për paraburgim ka thënë se ata janë arrestuar pasi mbanin mjete të mprehta gjatë vizitës që u bënë manastireve ortodokse në Republikën e Kosovës.
Ka shtuar se rreziku i arratisjes për të pandehurit duhet të lidhet me faktin se të gjithë janë shtetas të Serbisë dhe kjo mund t'i bëjë të paarritshëm nëse ata ikin në Serbi.
Shala ka thënë se ata kanë shkuar në formë të organizuar në manastire, andaj kanë mundur edhe të rrezikonin jetën e pelegrinëve.
“Të njëjtat (v.j armët e ftohta) të pandehurit i kanë mbajtur në mënyrë të organizuar në disa nga manastiret ortodokse në Republikën e Kosovës, me çka kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ka thënë Shala.
Avokatët e të dyshuarve e kundërshtuan këtë kërkesë si joproporcionale.
Kanë thënë se të pandehurit nuk kanë pasur armë me vete fare dhe ato ishin të gjitha mjete pune.
“Është krejt i gabuar qëndrimi juridik i prokurorisë se këto mjete hyjnë në mjete të rrezikshme - armë të ftohta”, ka thënë Hasan Hoti, avokat i Branko Rakiq.
KOHA e ka pyetur Prokurorinë Themelore në Gjakovë se a ka bërë ndonjë kërkesë Prokuroria Speciale për ta tërhequr lëndën nga kjo prokurori, meqë të pandehurit janë paraqitur si të rrezikshëm e me lidhje me strukturat e sigurisë së Serbisë, por këto prokurori nuk kanë dhënë sqarime lidhur me këtë çështje.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se të pandehurve në veturë iu gjet edhe një fotografi me fytyrat e tre pjesëtarëve të grupit terrorist që vdiqën gjatë sulmit terrorist në Banjskë, mirëpo ky nuk u paraqit si provë në seancën dëgjimore.