LAJMET E MBRËMJES

Seanca konstituive vazhdon të enjten nga ora 12:00

Seanca konstituive e ndërprerë të martën, do të vazhdojë të enjten nga mesdita. Njoftimi u bë pasi presidentja Vjosa Osmani në përgjigje ndaj letrës së kryesuesit të seancës ka kërkuar që deputetët të gjejnë vetë mënyra se si të procedohet tutje dhe të mos bllokohet formimi i institucioneve. Juristët vlerësojnë se Kuvendi duhet ta hedhë sërish në votim raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve, për të cilin nuk pati vota që të miratohej

Kuvendi do ta vazhdojë seancën konstituive të enjten, nga ora 12:00.

Njoftimi është bërë pak kohë pasi presidenca shprehu qëndrimin se Kuvendi duhet ta vazhdojë seancën e ndërprerë të martën, në letërpërgjigjen ndaj kryesuesit Avni Dehari, i cili kërkoi udhëzime nga kreu i shtetit.

E, në këtë përgjigjen drejtuar Avni Deharit, si kryesues i seancës, presidentja Vjosa Osmani ka cituar aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, me të cilat thotë se ai dhe të gjithë deputetët janë të obliguar të gjejnë vetë mënyra për ta bërë Kuvendin funksional. 

“Në Aktgjykimin Nr. K0119/14, në të cilin objekt shqyrtimi ka qenë seanca konstituive e Legjislaturës V, Gjykata ka obliguar të gjithë deputetët e Kuvendit që në pajtim me dispozitat kushtetuese dhe dispozitat e Rregullores së Kuvendit, ta gjejnë mënyrën për ta bërë Kuvendin funksional. Për më tepër, në të njëjtin Aktgjykim, Gjykata ka përcaktuar se: ‘Kryesuesi që kryeson seancën konstituive, edhe pse nuk është i zgjedhur, është i obliguar me Kushtetutë dhe me Rregullore të Punës së Kuvendit për ta realizuar seancën konstituive’”, thuhet në letrën e presidentes Osmani.

Presidentja ka shprehur gatishmërinë edhe që t’i mirëpresë Deharin dhe kryetarët e partive politike në rast se e kanë të nevojshme.

E, sipas Rregullores së Kuvendit, ndërprerjet e seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thanë se të enjten duhet të vihet në votim Raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve, i cili nuk u miratua të martën e për pasojë u ndërpre seanca.

“Të procedohet tutje pra patjetër që me votimin e raportit, për arsye që votimi i raportit është një hap drejt konstituimit të Kuvendit. Roli i Komisionit për verifikimin e mandateve është një rol thuajse formal dhe që ato mandate veçse janë verifikuar më herët nga KQZ-ja”, ka thënë Kolshi.

Opozitarët votuan kundër raportit, meqë thanë se anëtarët e qeverisë që janë zgjedhur deputetë nuk kanë paraqitur dorëheqjen. 

Kërkesën e përsëritën të mërkurën.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se seanca plenare nuk mbahet peng “e tekeve bllokuese e intencës ofenduese të partisë së parë”.

“Seanca plenare mbahet me detyrim brenda 48 orëve; siç u paralajmërua edhe vendimi ynë si Grup Parlamentar… Nesër, sërish, përfaqësuesit tanë do të kërkojnë dorëheqjen e të gjithë atyre që me zor duan t’i mbajnë dy poste përjashtuese në të njëjtën kohë. Do ta kërkojnë si obligim ligjor, si rrjedhë kushtetuese, si logjikë demokratike”, ka theksuar ai.

E, ministri në detyrë i Financave vuri në pikëpyetje mandatet e gjithë përbërjes së re të Kuvendit, pas dështimit për ta votuar raportin. 

“Çka nënkupton kur deputetët, Kuvendi, votojnë kundër mandateve të tyre? A i bie kjo që ka dështuar konstituimi i Kuvendit dhe nuk mund të vazhdohet tutje, pra duhet të kemi një proces të ri zgjedhor, a i bie kjo se deputetët që kanë votuar kundër, tash duhet të tërhiqen dhe të lirojnë vendin për kolegët e tyre brenda subjekteve, apo ndonjë zgjidhje tjetër, mbetet të shihet në vijim?”, ka thënë Murati, para se presidentja të përgjigjej.

Kryeministri në detyrë dhe anëtarët e kabinetit qeveritar kanë thënë se, siç e kërkon ligji, para certifikimit të rezultatit zgjedhor, me dorëheqje është njoftuar KQZ-ja, por në këtë institucion nuk e konfirmuan këtë.

E, në shoqërinë civile theksuan se letra e publikuar nga Kurti, dhe e cila i është përcjellë Kuvendit, ishte njoftim dhe jo akt dorëheqjeje.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson që akti i tillë nuk përbën dorëheqje, për shkak se dorëheqja nuk do të duhej të linte hapësirë për interpretim”, ka thënë Melos Kolshi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Ndërkaq, në Grupin për Studime Politike dhe Juridike vlerësuan se Kushtetuta është shkelur nga KQZ-ja ditën e certifikimit të mandateve të deputetit, si të kryeministrit dhe ashtu edhe të ministrave.

“Gjendja kundërkushtetuese ka filluar më datën 27 mars, kur Komisioni Qendror për Zgjedhje ka certifikuar si deputetë, në kundërshtim me Kushtetutën, anëtarë të cilët njëkohësisht mbanin post ekzekutiv”, thuhet në një reagim të kësaj organizate.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar pas verifikimit të vlefshmërisë së mandateve të deputetëve, betimit të tyre, zgjedhjes së kryetarit dhe të nënkryetarëve.