Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar datën për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit. Mbledhja do të mbahet të martën e tretë të prillit. E derisa Kuvendi konsiderohet i konstituuar me zgjedhjen e kryetarit e të nënkryetarëve të tij, në partinë më të madhe nuk kanë dhënë emrin e kryeparlamentarit
Në ulëset e sallës së Kuvendit, më 15 prill, për herë të parë nga zgjedhja e tyre, do të ulën deputetët e legjislaturës së re.
Vendimi për seancën konstituive të Kuvendit është marrë të martën nga presidentja Vjosa Osmani.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025 dhe në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Bazuar në rregullore, përgatitjet për mbajtjen e seancës kryeparlamentari aktual, Glauk Konjufca, duhet t’i kryejë jo më vonë se pesë ditë para mbajtjes së seancës së parë të legjislaturës së re.
Së bashku me kryetarët e subjekteve politike që kanë siguruar ulëse në Kuvend, Konjufca do të merret me caktimin e rendit të ditës e të uljes së deputetëve në sallën e seancave plenare.
Përveç betimit të deputetëve, mbledhja konstituive e legjislaturës, sipas Rregullores së Kuvendit, nuk përmbyllet pa zgjedhjen e kryetarit e të nënkryetarëve të Kuvendit.
Kjo seancë kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë i ndihmuar nga më i riu.
Pas betimit, subjekti që ka siguruar më së shumti ulëse në Kuvend duhet të propozojë kandidatin për kryeparlamentar.
E derisa kanë mbetur edhe dy javë deri në ditën e zgjedhjes së tij, Lëvizja Vetëvendosje, që i ka fituar zgjedhjet, nuk ka bërë të ditur nëse ka vendosur se kë do të propozojë për këtë post.
“Në përputhje me kohën dhe afatet Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë të gjitha propozimet e saj për pozitat përkatëse”, ka thënë Arlind Manxhuka, zëdhënës i LVV-së.
Kryetari i Kuvendit konsiderohet i zgjedhur nëse merr së paku 61 vota. Pas zgjedhjes së tij vijohet me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve të Kuvendit, njëri prej të cilëve duhet të jetë nga komuniteti serb e një tjetër nga komunitetet e tjera joshumicë.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve, ndërsa, sipas rregullores, seanca nuk mund të ndërpritet më gjatë sesa 48 orë.
Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit janë certifikuar javën e shkuar, e bazuar në to, Vetëvendosje ka fituar 48 ulëse, PDK-ja 24, LDK-ja 20 dhe AAK-Nisma 8.
Njëzet ulëse të tjera janë për komunitetet.