Në rastin e Speciales ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të enjten dëshminë e nisi doktori Helmut Schrecknbauer, i cili ka përgatitur raportin post-mortem për trupin e gjetur të lidhur për karrige në ish-objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Prizren. Ky objekt, pas përfundimit të luftës, u mor nën kontroll nga UÇK-ja dhe prokuroria pretendon se aty u keqtrajtuan shumë persona
Një trup i gjetur në ish-objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Serbisë në Prizren, më 18 qershor 1999, ka qenë subjekt i diskutimit në Hagë.
Në rastin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të enjten dëshminë e nisi doktori Helmut Schrecknbauer, i cili ka përgatitur raportin post-mortem për trupin e gjetur të lidhur me pranga për karrige.
Objekti i MUP-it të Serbisë, pas përfundimit të luftës në Kosovë, u mor nën kontroll nga Ushtria Çlirimtare (UÇK) dhe Prokuroria pretendon se aty janë mbajtur dhe torturuar shqiptarë, serbë e romë.
Dëshmitari Schreckenbauer ka thënë se kur kanë hyrë në godinë, ndërtesa ka qenë bosh dhe se kanë marrë informacion se në katin e parë ishte një person i vdekur.
“Ishte një dhomë ku u kemi dhënë trajtim mjekësor të lënduarve dhe nuk më kujtohet se kur arritëm aty të gjithë të lënduarit ishin jashtë ndërtesës apo ndoshta policia ushtarake i ka lejuar ata që të dalin jashtë ndërtesës. Këtë nuk e di. Me qëllim që t’u japim trajtim atyre, i lejuam që të hyjnë në ndërtesë sërish dhe u futëm në ndërtesë bashkë me policinë ushtarake, sepse morëm informacionin se në katin e parë të ndërtesës ishte një person i vdekur, në atë moment nuk më kujtohet të ketë pasur njerëz të tjerë në ndërtesë”, ka thënë Schreckenbauer.
Viktor Baisheu, avokat i Jakup Krasniqit, e pyeti dëshmitarin se a mund të konstatojë se viktimën e kanë vrarë shqiptarët. Schreckenbauer është shprehur se nuk mund ta japë këtë konstatim.
“Kjo s’ka qenë detyra ime si mjek. Nuk është që unë të gjej kryerësit e veprës, por detyra ime ishte që të konstatoj që dikush ka vdekur dhe më sa ishte e mundur të jepja informacion lidhur me shkakun e vdekjes. Unë nuk jam oficer policie, s’kam qenë as atëherë oficer policie që të gjej kryerësit e veprës”, ka thënë ai.
Në seancën e paradites, dëshminë e ka përfunduar eksperti i mjekësisë ligjore John Clarke.