Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka shprehur pritjen që brenda një muaji mësimdhënësit të bëhen me kontratë të re, e cila do t’ua mundësojë edhe shpërblimin jubilar. Por, në rast se dokumenti nuk merr nënshkrim, atëherë ai ka paralajmëruar veprime sindikale
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) e ka dorëzuar të mërkurën në Ministri të Arsimit (MASHTI) një draft të Kontratës Kolektive të mësimdhënësve, për të cilën kryetari i saj, Rrahman Jasharaj, ka shprehur pritshmëri se do të nënshkruhet brenda një muaji.
Ai ka paralajmëruar që në rast se nënshkrimi nuk ndodh, Sindikata do të ndërmarrë veprime të tjera.
“Do të insistojmë edhe te zëvendësministrat, do të insistojmë edhe në nivel të Qeverisë të gjejmë njerëz të vullnetit të mirë, në mënyrë që të ulemi e ta negociojmë kontratën dhe nëse zonja Nagavci del haptas e i thotë ‘jo’ kësaj kontrate, atëherë i mbetet anëtarësisë sonë, të cilën do ta informojmë për të gjitha angazhimet deri tash, dhe atyre u mbetet cilido që është vendimi dhe zëri i anëtarësisë sonë, si në të kaluarën edhe tani do ta realizojmë”, ka theksuar Jasharaj.
Ai ka bërë të ditur se drafti i përpiluar nga SBASHK-u nuk ndryshon nga Kontrata Kolektive paraprake dhe se në të është shtuar vetëm një nen, nëpërmjet të cilit kërkohet që stafi i shkollave të mbyllura për shkak të numrit të vogël të nxënësve, të transferohet në institucione të tjera arsimore.
“Kontrata që e dorëzuam sot nuk ka dallime të mëdha, d.m.th. janë ruajtur të gjitha benefitet që i ka pasur kontrata e kaluar ngase, edhe sipas konventave ndërkombëtare, ato gjëra që fitohen një herë nuk bën të mohohen, së paku jo nga ne, por kemi bërë edhe ndonjë shtesë eventuale”, ka thënë ai.
Para tre vjetësh Ministria e Arsimit pati shkëputur Kontratën Kolektive me SBASHK-un, të nënshkruar në vitin 2020. Megjithëkëtë, mësimdhënësit vazhdojnë t’i marrin benefitet e kësaj kontrate nëpërmjet padive në gjykata, gjë që ka rënduar buxhetin e komunave.