LAJMET E MBRËMJES

SBASHK-u e kërcënon Qeverinë me grevë në arsim

Drejtuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës kanë thënë se nëse drejtuesit e institucioneve nuk reflektojnë as pas protestës së nesërme ata nuk i përjashtojnë edhe grevat. Sipas kësaj sindikate, kjo protestë ka për qëllim reflektimin e Qeverisë për ta zbatuar kontratën kolektive.

Florinda Abazi

Me kërkesën për zbatimin e vendimit për kontratën kolektive të mërkurën do të protestohet para objektit të Qeverisë. 

Drejtuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), në një konferencë për media të martën, kanë thënë se synimi i kësaj proteste është që të përçojë mesazhe të qarta te Qeveria dhe Ministria e Arsimit, për nevojën e nënshkrimit të kësaj kontrate.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar edhe greva nëse, sipas tij, Qeveria nuk reflekton në kërkesat e tyre.  

“Qasja e tyre dhe injorimi i tyre i vazhdueshëm solli vendimin për veprime sindikale. Fillimisht u vendos që më 4 dhjetor të bëhet protestë dhe presim që protesta para MASHTI-t dhe Qeverisë të jenë mbi 1500 pjesëmarrës. Nëse Qeveria e sidomos ministrja Nagavci nuk reflektojnë, do të analizojmë situatën dhe do të marrin vendime duke mos e përjashtuar grevën e përgjithshme”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj e ka akuzuar kryeministrin Kurti dhe ministren Nagavci, duke thënë që ata kanë ndërmarrë vendime të gabueshme, si dhe kanë një qasje armiqësore ndaj mësimdhënësve. 

“Çka do të ndodhë tani e tutje varet nga angazhimi dhe qasja e Qeverisë. Që urojmë të mos vazhdojë të jetë e gabuar e mandej edhe armiqësore ndaj SBASHK-ut dhe sindikatave të tjera”, ka thënë ai. 
Kërkesë tjetër e SBASHK-ut është edhe rritja, siç është thënë dinjitoze e pagave.
“1. Duam nënshkrimin e Kontratës Kolektive. 2. Ministre reflekto, fillo dialogun. 3. Duam ngritje dinjitoze të pagave. 4. SBASHK-u është zëri ynë-dëgjojeni! 5. Ministre a fole ndonjëherë në Qeveri për kërkesat tona? 6. Kur mungon dialogu, mungon demokracia. 7. Mos na mohoni kontributin e viteve të 90-ta. 8. Nuk lejojmë të bëhen ndryshime të ligjeve në dëm të punëtorëve të arsimit. 9. Pensionistët ju arsimuan e ju po i ndëshkoni. 10. Duam përmirësimin e kushteve  të punës në institucione arsimore. 11. E shenjtë është puna e mësuesit në edukimin e brezave. E të tjera në këtë frymë”, thuhet në kërkesat e sindikatës, të postuara në Facebook.

E pak pas konferencës për media, drejtuesit e SBASHK-ut janë pritur në një takim nga ministrja Nagavci, e zëvendësministri Taulant Kelmendi, por edhe ky takim rezultoi pa marrëveshje. 

Në njoftimin e sindikatës është theksuar se ministrja Nagavci nuk ka shfaqur gatishmëri për të diskutuar në mënyrë konkrete për kërkesat e tyre.

“Ishte ky takim i shkurtër dhe ka përfunduar pa as edhe një rezultat ngase ministrja Nagavci nuk pati gatishmëri të bisedojë konkretisht për kërkesat legjitime të anëtarësisë që SBASHK-u i ka bërë publike tani e sa kohë. SBASHK-u shpreh keqardhje për këtë qëndrim të ministres Nagavci dhe prandaj nesër (e mërkurë v.j.) do të mbahet protesta e paralajmëruar dhe Këshilli Drejtues do të vendosë edhe për veprimet e tjera sindikale. SBASHK-u uron që nesër në kuadër të protestës përfaqësues të MASHTI-t të takohen me udhëheqës të protestës në përpjeke për të arritur marrëveshje të pranueshme për të dyja palët”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut të martën.

Me njoftim ka dalë edhe Ministria e Arsimit.

“Siç dihet, gjatë qeverisjeve të kaluara, në periudha zgjedhore, janë nënshkruar marrëveshje të shumta me sindikatën, të cilat kanë prodhuar pasoja juridike me të cilat institucionet tona vazhdojnë të përballen. Prandaj, një gabim i tillë nuk do të përsëritet. Çështja e pagave për mësimdhënësit është rregulluar me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik (08/L-196) dhe përcaktohet nga ligji vjetor i buxhetit. Rrjedhimisht, rritja e koeficientit përfshin edhe mësimdhënësit. Sa i përket kontratës kolektive, diskutimi nuk duhet të jetë i njëanshëm dhe as i margjinalizuar. Ky diskutim mund të zhvillohet nga BSPK dhe Këshilli Ekonomik Social në nivel qeveritar, sapo të krijohen kushtet e përcaktuara me ligj”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e MASHTI-t.

Para dy vjetësh, Ministria e Arsimit ka shkëputur kontratën kolektive me SBASHK-un, me arsyetimin se në kohën kur është nënshkruar, ministri i Qeverisë ishte në detyrë dhe ka pasur mungesë legjitimiteti.
Sindikata ka nënshkruar tri kontrata kolektive me pushtetin qendror. 

Një në vitin 2014, 2017 dhe tjetra më 2021. Këto kontrata iu mundësojnë mësimdhënësve mbulimin e shpenzimeve për udhëtim, kompensim të shujtës dhe shpërblim jubilar.

Implikimet financiare të këtyre kontratave kanë rënduar kuletën e komunave, pasi asnjëherë në përpilimin e buxhetit vjetor nuk është planifikuar kostoja e detyrimeve që dalin nga kontrata kolektive. 
Për mosarritjen e përmbushjes së këtyre detyrimeve, mësimdhënësit kanë paditur komunat, të cilat raste i kanë fituar në gjykatë. Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, niveli lokal është dëmtuar mbi 120 milionë euro nga paditë e mësimdhënësve.

Për herë të fundit, mësimdhënësit kanë mbajtur grevë në fillim të vitit shkollor 2022-2023, për një muaj.

Së fundi, Qeveria ka vendosur të rrisë sasinë e koeficienteve të pagave për sektorin publik, duke nisur nga 1 janari, e ku përfshihen edhe mësimdhënësit.