Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Mark Rutte, në nisje të turit të parë në Ballkanin Perëndimor tha nga Bosnjë-Hercegovina se nuk do të lejojnë të rrezikohet paqja në këtë shtet. Pas kërcënimeve të entitetit të Republikës Serbe për shkëputje, Rutte e bëri të qartë se NATO-ja mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit. Pas Sarajevës, Rutte do të qëndrojë në Kosovë ku të martën do të ketë takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti
Me mesazhin se NATO-ja nuk do të lejojë të rrezikohet paqja në Bosnjë- Hercegovinë, sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, Mark Rutte e ka nisur vizitën e tij të parë në Ballkanin Perëndimor. Nga Sarajeva ai tha se Aleanca mbështet sovranitetin dhe integritetin e Bosnjë-Hercegovinës, duke theksuar se nuk do të lejojë që paqja “e fituar me mund” në këtë shtet të vihet në rrezik. Në konferencën për media në Sarajevë, pas takimit me anëtarët e Presidencës trepalëshe, Rutte shtoi se situata aktuale nuk është sikur më 1992, kur nisi lufta në Bosnje.
“Kam dëgjuar shqetësime për situatën e sigurisë. Le të jemi të qartë, kjo situatë nuk është si më 1992 dhe ne nuk do të lejojmë që të krijohet një vakum i sigurisë. Komuniteti ndërkombëtar është këtu dhe është i angazhuar për të vazhduar mbështetjen tonë të fuqishme, përfshirë përmes EUROF-it”, ka thënë Rutte.
Vizita e Ruttes u zhvillua në kohën kur autoritetet e Republikës Sërpska duke kërcënuar me shkëputje, kanë tentuar të ndalojnë funksionimin e institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe policisë në territorin e këtij entiteti.
Rute e bëri të qartë se NATO-ja mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit.
“Retorika nxitëse dhe veprimet janë të rrezikshme. Ato paraqesin një kërcënim të madh për stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe të sigurisë”, tha zyrtari i lartë i NATO-s.
Sipas tij, çdo veprim që e minon Dejtonin, rendin kushtetues dhe institucionet shtetërore, por edhe retorika nxitëse janë të papranueshme.
Rutte tha se këtë situatë duhet ta zgjidhin vetë udhëheqësit e Bosnjës, duke iu drejtuar anëtarëve të Presidencës trepalëshe.
Mst: Qëndrimet të ndryshme nga anëtarët e presidencës
Por dy nga tre anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, dhanë qëndrime të ndryshme në konferencën e përbashkët.
Kryesuesja e presidencës, Zhelka Cvijanoviq, tha se për të dhe përfaqësuesit politikë të entitetit serb nuk është i diskutueshëm integriteti territorial dhe ruajtja e multietnicitetit të Bosnjë-Hercegovinës, si dhe bashkëpunimi me NATO-n. Por shtoi se ata kundërshtojnë anëtarësimin në Aleancën veri-atlantike.
“Kolegët e mi mendojnë se është normale që një i huaj të imponojë ligje, unë nuk mendoj se është normale që dikush, bazuar në Konferencën e Bonit, të krijojë një kaos të tillë. Në Republikën Sërpska ekziston bindja se ky shtet është privatizuar në favor të një grupi dhe në dëm të dy të tjerëve përmes spekulimeve të ndryshme”, ka deklaruar ajo. “Përfaqësuesi i lartë në Bosnje, Schmidt nuk mund ta shpëtojë Bosnjën, por Republika Sërpska dhe Federata e Bosnjës mund ta bëjnë këtë dhe mendoj se duhet të punojmë për këtë, të arrijmë marrëveshje dhe të jetojmë një jetë normale dhe demokratike”, shtoi ajo.
Anëtari i Presidencës, Denis Beqiroviq tha se është e rëndësishme që NATO-ja nuk do të lejojë një vakum të sigurisë dhe mbështet përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar, Schmidt.
“Këto janë momentet më të vështira që nga viti 1995 e deri më sot. Kemi pasur një sulm brutal ndaj Kushtetutës së Bosnjë-Hercegovinës. Destabilizimi i rrezikshëm duhet të ndalet. E vetmja që do të përfitonte nga destabilizimi është Moska”, potencoi ai.
Anëtari i tretë i Presidencës, Zhelko Komshiq, deklaroi se çdo gjë që ka dëgjuar në takimin me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ai do ta nënshkruante menjëherë.
“Një çështje që askush nuk e përmend është nevoja që Bosnja të ndajë më shumë fonde për sektorin e mbrojtjes, duke qenë se flasim për dëshirën për t’u bërë anëtare e NATO-s. Shuma e parashikuar në buxhetin që miratojmë sot nuk është as afër 2 të GDP-së”, ka thënë Komshiq.
Pas takimit me anëtarët e Presidencës së BH-së, Zhelka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zhelko Komshiq, Rutte zhvilloi një takim me kryetaren e Këshillit të Ministrave të BH-së, Borjana Krishto.
Pasdite Rutte është planifikuar që t'u drejtohet studentëve të Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Sarajevës.
Kjo vizitë do të zhvillohet pas tensioneve në këtë shtet, ku presidenti i Republikës Serbe, Millorad Dodik, mbrëmjen e 5 marsit ka nënshkruar dekretet për shpalljen e ligjeve jokushtetuese, të miratuara në Kuvendin e këtij entiteti të Bosnjë-Hercegovinës. Me këto ligje ndalohet veprimtaria e Gjykatës dhe Prokurorisë së BH-së, Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial(VSTS).
Takime me përfaqësues të KFOR-it dhe liderë institucionalë në Kosovë
Pas Bosnjë e Hercegovinës, Rutte pritet të mbërrijë në Prishtinë të hënën në mbrëmje.
Policia e Kosovës ka njoftuar se do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe të qëndrimit të delegacionit të lartë të NATO-s, i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte.
Në njoftimin e Policisë thuhet se për të pasur qarkullim të lirë, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa rrugë.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.
Rutte do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Sipas njoftimit, sekretari i NATO-s do të ketë konferencë për media me Osmanin, të martën rreth orës 15:00.
Veç liderëve të institucioneve të Kosovës, Rutte, i shoqëruar nga ambasadorët e vendeve anëtare të kësaj aleance, do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, ambasadorin e BE-së, Aivo Orav, shefin e EULEX-it, Giovanni Barbano e shefen e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.
Rutte viziton rajonin në kohën kur po përmendet mundësia e largimit të ushtrisë amerikane nga Evropa. Kjo është cilësuar goditje e rëndë për stabilitetin politik dhe ushtarak të kontinentit.
Në kuadër të Misionit të KFOR-it në Kosovë, ShBA-ja kontribuon me 602 ushtarë, derisa në Sojevë të Ferizajt ndodhet Bondsteel, njëra prej bazave më të madhe amerikane në rajon.
Nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes thanë javën e kaluar se tash për tash nuk ka ndryshim sa i përket pozicionimit të forcave të tyre.