LAJMET E MBRËMJES

Rruga transitore në Shtime nxjerr banorët e bizneset në protestë

Qytetarë e përfaqësues të kompanive transportuese protestuan të martën kundër mosfinalizimit të punimeve për riasfaltimin e rrugës transit në Shtime. Ata e mbajtën këtë aks rrugor prej 3 kilometrash të bllokuar për disa orë e paralajmëruan edhe protesta të tjera po qe se rregullimi i rrugës nuk merr epilog të shpejtë. Nga Komuna kërkojnë pak durim, meqë rruga do të përfundojë së shpejti

Me dhjetëra qytetarë e përfaqësues të kompanive transportuese mëngjesin e së martës e mbajtën të bllokuar për disa orë rrugën transitore në periferi të Shtimes, tek e shprehën me protestë pakënaqësinë për degradimin e saj.

Ata i kritikuan autoritetet qendrore dhe ato komunale për ngecjen në riasfaltimin e aksit rrugor prej 3 kilometrash, në afërsi të fshatit Davidoc, shkaku i së cilës theksuan se gropat nëpër rrugë po u shkaktojnë defekte në automjete.

“Arsyeja e daljes këtu është sepse kemi organizuar një protestë lidhur me transitin në Shtime që lidh rrugët regjionale për Prishtinë-Ferizaj, e të tjera. Rruga është shumë e dëmtuar, kanë filluar punimet, pastaj është dëmtuar edhe më shumë rruga, janë larguar mjetet motorike dhe e kanë lënë rrugën në gjendje të rëndë. Ne çdo ditë jemi duke u përballur me defekte dhe me shpenzime marramendëse me mjete tona dhe është e papërballueshme për neve, andaj ajo na ka shtyrë të dalim këtu”, ka thënë Armend Abazi, përfaqësues i një kompanie transportuese.

E banorët e zonës përreth rrugës, krahas vërejtjes për ndotjen e mjedisit nga pluhuri, i numëruan edhe rreziqet që u kanosen.

Remzi Zeqiri, banor i kësaj lagjeje, ka thënë se më të rrezikuar i kanë fëmijët që shkojnë e kthehen pa përcjellje nga shkolla.

“Për neve ka rëndësi të madhe pluhuri i madh, sepse banorët e kësaj lagjeje nuk mund të hapin as dritare, as të dalin në tarracë e as të dalin në oborr, sepse është pluhur jashtëzakonisht i madh. Ndërkaq dimrit rruga bëhet e pakalueshme nga balta dhe fëmijët i kemi të rrezikuar e po ashtu edhe të rriturit”, ka thënë Zeqiri.

Banori tjetër i kësaj lagjeje Fatmir Neziri, ka thënë se shtëpitë përgjatë rrugës transit janë bërë të pabanueshme.

“Në këtë rrugë brenda ditës kalojmë me dhjetëra herë, mandej fëmijët janë në shkollë dhe jemi të shqetësuar për shkak të rrugës dhe për këtë arsyeje kemi dalë në protestë. Kërkesat janë që sa më shpejt të rregullohet rruga dhe të riasfaltohet sepse po bëhet vend i pabanueshëm shkaku i pluhurit , baltës etj.”, ka thënë ai.

Në Komunën e Shtimes kryesuesi i Kuvendit, Adnan Ademi, ka thënë se së shpejti do të finalizohet ky projekt. Sipas tij, Ministria e Infrastrukturës i ka nisur javë më parë punimet për riasfaltimin e këtij aksi rrugor, por theksuan se ato mund të zgjasin deri në 90 ditë, bazuar në marrëveshjen me operatorin ekonomik.

“Qytetarët kanë të drejtë të organizojnë protesta për atë rrugë, por pa u bërë pluhur nuk mund të asfaltohet rruga. Qeverisjet e kaluara prej vitesh nuk e kanë rregulluar atë, andaj unë e di se ajo rrugë e ka kontratën për 90 ditë dhe brenda këtyre 90 ditëve ajo rrugë do të jetë e asfaltuar. Unë u lutem qytetarëve që të kenë durim. Kompania e ka afatin ligjor brenda kësaj periudhe që ta finalizojë dhe shpresojmë se ky projekt do të përfundojë me kohë”, ka deklaruar Ademi.

E në Ministrinë e Infrastrukturës gjatë së martës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHES lidhur me çështjen.