Niveli i manganit në liqenin e Badocit është rritur sërish përtej normës së lejuar. Për këtë shkak, në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik i rekomanduan qytetarët, të cilët furnizimin me ujë e kanë nga ky liqen, të mos e përdorin atë për pije dhe për gatim. Në KRU Prishtina njoftuan se do të nisë shpërndarja e ujit të pijes me autobote. E qytetarët shprehën dyshim se uji ka qenë i kontaminuar që prej ditësh, tek i kritikuan institucionet se janë vonuar në informim
Banorë të 26 lagjeve të Prishtinës dhe të zonave përreth saj, që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit, nga e premtja nuk do të mund ta përdorin atë për pije. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka rekomanduar mëngjesin e së premtes që ky ujë të mos konsumohet, pasi analizat e fundit laboratorike kanë evidentuar prani të lartë të manganit.
“Nga rezultatet laboratorike, 15 mostra nga numri total i mostrave të marra rezultojnë me tejkalim të standardit për mangan. Tejkalimet fillojnë nga vlera më e ulët prej 0.062mg/L deri në vlerën më të lartë 0.250 mg/L. Sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021. ‘Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu’, norma e lejuar për mangan në ujin për pije është 0.05 mg/L”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së.
Ndonëse mangani është mineral që konsiderohet si lëndë ushqyese dhe kontribuon në shumë funksione trupore, prania e tij në sasi më të lartë, sesa ajo e lejuar mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore dhe të ketë ndikim në sistemin nervor qendror të njeriut.
“Vlerat mbi 50 µg/L në ujin e pijshëm sillet si ndotës dhe ka ndikim të dëmshëm në shëndet, e posaçërisht te fëmijët deri në 5 vjeç”, thuhet tutje në komunikatë.
Në IKSHPK paralajmëruan se problemi do të zgjasë për një kohë të gjatë, teksa rekomanduan që uji të përdoret veç për higjienë personale.
Në KRU “Prishtina” gjatë ditës, nuk pranuan të prononcohen nëse do të bëhet sigurimi i ujit të pijshëm për qytetarët, tek iu referuan komunikatës së përbashkët me IKSHPK-në. E për fillimin e shpërndarjes së ujit për pije me anë të autoboteve njoftuan gjatë pasdites.
“KRU"Prishtina" fillon me shpërndarjen e ujit të pijshëm përmes autoboteve. Së shpejti ju njoftojmë për pikat”, thuhet në komunikatën e KRU “Prishtina”.
E qytetarët shprehën shqetësim për situatën, tek thanë se prej ditësh kanë vërejtur se uji nga rubinetet ka dalë i papastër. Qytetari Nazif Buzaku, ka thënë se është shqetësuese që kjo dukuri po përsëritet për dy vite rresht.
“Sigurisht ndihemi të rrezikuar, se para disa ditëve kemi vërejtur pak si turbullime, po dëgjuam edhe informatat përmes televizionit dhe duhet të fillojmë ta blejmë, megjithëse është shumë problem ta furnizojmë familjen me ujë të blerë, nuk e di a do të fillojnë të bien cisterna, po përsëritet shumë herë ky rast”, ka thënë Buzaku.
E qytetari tjetër Hashim Rama i kritikoi institucionet për vonesë në informim lidhur me gjendjen.
“Sipas analizave, ata kanë konstatuar se dje, por me siguri kjo ka ndodhur pak më herët, kështu që është mirë të njoftohen qytetarët edhe publikisht pak më herët që të gjenden mënyra të ndryshme, ta blejnë ujin ose të furnizohen me cisterna ose diçka tjetër pak më herët... Një pjesë e madhe e qytetarëve ndoshta nuk e kanë edhe mundësinë dhe e përdorin ujin e Badocit, kështu që është mirë më herët të njoftohet për këto gjëra?”, ka thënë Rama.
Ngritje të nivelit të manganit në Liqenin e Badocit ka pasur edhe vjet. Asokohe, uji nuk është përdorur për pije dhe për përgatitje të ushqimit për më shumë se një muaj.