LAJMET E MBRËMJES

Një 23-vjeçare lëndohet rëndë pas rrëzimit të çatisë së “komunës së re”

Është rrëzuar sërish çatia e ndërtesës së re të Komunës së Prishtinës duke i shkaktuar lëndime të rënda një 23-vjeçareje. Krahas kësaj janë demoluar shumë nga automjetet e parkuara afër ndërtesës. Për rrëzimin e kulmit zyrtarët komunalë fajësuan erën e fortë

Një 23-vjeçare ka marrë lëndime të rënda trupore pasi në mesditën e së enjtes është goditur nga pjesë të çatisë së rrëzuar të objektit të ri të Komunës së Prishtinës.

Burime të KOHËS kanë thënë se ajo ka marrë lëndime edhe në kokë.

Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) treguan se e reja ndodhet në Emergjencë dhe se pritet të dërgohet në trajtim intensiv.

“Ekipi emergjent dhe ai i klinikave diagnostike kanë kryer disa nga ekzaminimet e nevojshme dhe pacientja do të jetë nën mbikëqyrje mjekësore. Pas 4 orëve pritet t’i kryhen ekzaminime shtesë diagnostike dhe të transferohet për trajtim të mëtejmë në Mjekimin Intensiv Qendror”, ka thënë Shpend Fazliu, zëdhënës i SHSKUK-së.

Krahas lëndimit të 23-vjeçares, rrëzimi i kulmit ka shkaktuar edhe dëme materiale. Janë demoluar shumë nga automjetet e parkuara afër ndërtesës së re të komunës, e cila ndodhet në lagjen “Arbëria”.

Prokuroria Themelore e Prishtinës konfirmoi hapjen e hetimit mbi këtë rast.

“Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes e bashkë me njësitë relevante dhe me urdhër të njëjtit janë iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’. Prokuroria në koordinim me policinë kanë filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast, nga i cili sipas informatave që kemi deri më tani ka marrë lëndime trupore një person (femër)”, thuhet në një përgjigje të shkruar të zëdhënëses Laureta Ulaj.

Kjo nuk është hera e parë që objektit të ri i rrëzohet çatia. Një pjesë i është rrëzuar edhe në 2017-n, e banorë të lagjes i thanë KOHËS që e njëjta gjë ka ndodhur edhe më vonë.

Zyrtarë të Komunës thanë se këtë herë era e fortë ka shkaktuar rrëzimin e kulmit.

“Sipas të gjitha gjasave si pasojë e erërave të forta që kanë ndodhur ka ardhur deri te rrëzimi. Hetimet janë në fazën preliminare. Nuk mund të them asgjë më shumë. Nuk mund të them asgjë më shumë, nuk mund të paragjykoj, policia dhe inspektorët e emergjencave janë duke e kryer punën e tyre”, ka thënë Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar hetim të plotë të këtij rasti.

“Menjëherë kam kontaktuar me familjarët e të lënduarës për t’iu qëndruar pranë në këto momente. Lutemi për shërimin e saj të shpejtë dhe të plotë. Si Kryetar i Kryeqytetit kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë rastin në tërësi dhe të marrin të gjitha masat dhe veprimet në pajtim me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Rama.

Pas rastit ka reaguar edhe opozita në këtë komunë.

Ndërkaq, në Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosjes në Prishtinë, kanë thënë se hetimi i këtij rasti duhet të japë përgjigje në çështje me rëndësi.

“Me shqetësim të thellë kemi pranuar lajmin për lëndimin e një vajze të moshës së re nga rënia e pullazit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës. Lutemi dhe urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë për të. Shprehim nevojën për një hetim të thelluar nga prokuroria dhe hetuesia e shtetit për sqarimin e rastit dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës”, thuhet në reagimin e publikuar në Facebook.

Burime në Komunë konfirmuan se kohëve të fundit ka pasur punime në katin më të sipërm të objektit, por ato kanë qenë duke u zhvilluar në dysheme e jo në kulm.

Ndërkaq, sipas zyrtarëve komunalë, këto punime nuk kanë qenë duke u kryer në momentin kur ka rënë çatia.

E, bazuar në një kontratë publike, në gushtin e vjetëm Komuna e Prishtinës ka lidhur kontratë për rindërtimin e kulmit të objektit të ri. Kontrata është në vlerë 386 mijë euro dhe për periudhën prej 12 muajsh. Kësisoj, tenderi për rregullim ishte në afat të zbatimit kur u rrëzua kulmi.