Kuvendi Komunal në Shtime pas një bllokade prej disa muajsh ka zgjedhur kryesuesin e ri Rrahman Jakupi nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili mori votat unanime për ta drejtuar kuvendin, ani pse kuvendarët nga Lëvizja Vetëvendosje nuk morën pjesë. Jakupi është zotuar se do të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë kuvendarët pa dallime politike, por edhe me ekzekutivin duke vënë në theks të veçantë edhe miratimin e buxhetit, i cili ka dështuar tash e disa seanca.
Kuvendi Komunal në Shtime ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme për zgjedhjen e kryesuesit të ri pasi që muajin e kaluar opozita e pati shkarkuar kryesuesin Adnan Ademi.
Rrahman Jakupi nga PDK-ja mori votat unanime për ta drejtuar Kuvendin e Shtimes.
Në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë asamblistët nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Jakupi ka thënë se do të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë anëtarët e Kuvendit dhe me ekzekutivin me qëllim që proceset të ecin përpara.
“Disa javë më parë Kuvendi i Komunës është mbledhur dhe e ka dërguar në diskutim publik draft-planin e buxhetit për vitin 2024-2026 dhe jemi duke i pritur afatet ligjore për opinion nga Ministria e Pushtetit Lokal, i cili edhe tri ditë do të skadajë. Ne presim që në afat prej 15 ditësh, nëse jemi në rregull, do të vazhdojmë me diskutime publike dhe pritet që në fund të muajit tetor kuvendi ta aprovojë buxhetin”, ka theksuar Jakupi
Asamblisti nga Lëvizja për Bashkim, Rexhep Gashi, ka thënë se ditë më parë MAPL-ja e kishte sjellë ligjshmërinë e vendimit për shkarkimin e ish-kryesuesit të Kuvendit, andaj kërkon që tash e tutje me kryesuesin e ri të mos bllokohet puna e Kuvendit, siç ka ndodhur disa muaj me radhë.
“Mendoj se do të punojë ligjërisht në interes të qytetarëve, por gjithmonë i bëj thirrje ekzekutivit dhe asamblistëve të tjerë të cilët nuk ishin prezentë të kenë një bashkëpunim, sepse të gjithë jemi duke punuar në interes të qytetarit dhe jemi të zgjedhur nga populli pavarësisht kryesuesit”, ka deklaruar Gashi.
KOHA ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, lidhur me këtë çështje, por ai nuk ka qenë i qasshëm.