Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të rihapë shqyrtimin gjyqësor në rastin “Veteranët”, ku të akuzuar për keqpërdorim të pozitës janë 12 ish-përfaqësues të Zonave Operative të UÇK-së në Komisionin Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Pjesëtarëve të Luftës. Kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri, tha se para shpalljes së aktgjykimit duhet të sqarohet çështja e numrit të pretenduar të veteranëve të rrejshëm
Është rihapur rasti i njohur si “Veteranët”, ku të akuzuar për keqpërdorim të detyrës janë përfaqësues të Zonave Operative të Ushtrisë Çlirimtare në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të pjesëtarëve të luftës së UÇK-së.
Në seancën e të hënës ishte paraparë që gjykata të shpallë aktgjykimin për këtë rast. Por kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri dhe se para vendimit ka nevojë të sqarohet shifra që prokuroria pretendon që është fryrë.
“Ka vendosur që të rihapet seanca e shqyrtimit gjyqësor vetëm edhe për një seancë gjyqësore për sqarimin e çështjeve konkrete në raport me numrin prej 19 mijë e 500 veteranëve të cekur në aktakuzën e Prokurorisë Speciale dhe seancën e shqyrtimit gjyqësor e caktojmë me 20 maj në ora 13:15, në të cilën edhe mendojmë ta përmbyllim këtë çështje”, tha Bahtiri.
12 të akuzuarit për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” janë Agim Çeku, Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Nga mbi 80 mijë aplikues, statusin e veteranit Komisioni ua ka njohur afro 46 mijë personave.
Sipas aktakuzës së hartuar nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë ngarkohen se gjatë periudhës së viteve 2011–2017, si anëtarë të Komisionit Qeveritar kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë vepruar me qëllim që të mundësojnë përfitime të kundërligjshme për individë të caktuar. Për pasojë, sipas Prokurorisë, buxheti i Kosovës është dëmtuar në dhjetëra miliona euro.
Ky rast pati përfunduar me aktgjykim lirues më 19 janar 2021, por më 26 prill të 2022, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim. Që nga ngritja e aktakuzës më 7 dhjetor 2018, Prokuroria Speciale e ka kërkuar edhe pezullimin e pagesës së pensioneve për 19,500 veteranë, kërkesë kjo që është refuzuar nga gjykata me arsyetimin se nuk ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejt me të akuzuarit, porse me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Të akuzuarit kanë theksuar se vendimet për njohjen e statusit të veteranëve janë marrë në bazë të dokumentacionit dhe të verifikimeve në nivel komandues, dhe se nuk ka prova që vërtetojnë se ndonjëri prej të akuzuarve ka vepruar me qëllim përfitimi apo dëmtimi të buxhetit shtetëror.