Reshjet e borës, që kanë përfshirë Kosovën që nga fillimi i javës, kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim, ndërsa moti i ftohtë dhe i vranët pritet të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme. Edhe vendet e rajonit po përballen me kushte të vështira atmosferike, duke përfshirë ndërprerje të energjisë dhe kufizime në qarkullim.
Reshjet e borës, që nisën të hënën, kanë vazhduar edhe të mërkurën, duke shkaktuar bllokime në disa rrugë të vendit.
Për shkak të borës së dendur dhe mospastrimit të rrugëve, disa qytetarë janë detyruar edhe të shtyjnë automjetet e tyre.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, shkak i borës rruga Pejë- Kullë është e ndaluar për automjete të rënda.
Por, sipas saj, të gjitha rrugët e tjera në vend janë të kalueshme.
Probleme kishte në mëngjes edhe në autostradën Prishtinë – Maqedoni, “Arbën Xhaferi”, ndërsa gjatë ditës këto pengesa janë tejkaluar, ka njoftuar Ministria e Infrastrukturës.
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se të gjitha rrugët që janë përgjegjësi e ministrisë janë të hapura.
“Reshjet e borës po vazhdojnë dhe pritet që të ketë reshje edhe në ditët në vazhdim. Ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe janë duke intervenuar vazhdimisht, në mënyrë që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme. Sipas raportimeve nga terreni, të gjitha rrugët që janë përgjegjësi e Ministrisë janë të hapura. Ju lutem që të keni kujdes gjatë vozitjes, duke respektuar rregullat dhe përshtatur kushteve klimatike”, thekson Durmishi.
Edhe Policia ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë ngasjes së automjeteve në rrugë, shkaku i borës dhe ngricave.
Por, pos rrugëve nacionale, rrugët dhe trotuaret në kryeqytet janë parë të papastruara.
E, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se mot i ftohtë dhe i vranët do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim por pa reshje bore.
“Të enjten moti parashikohet i vranët dhe pa reshje. Në mëngjes, në shumë zona do të ketë kushte për mjegull. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet -3 deri -1°C, ndërsa maksimalet 0 deri 1°C. Të premten moti do të jetë kryesisht i vranët, me temperatura minimale ndërmjet -3 deri -1°C dhe maksimale nga 0 deri 1°C.”, thuhet në njoftim.
Situata e rënduar nga moti ka vazhduar edhe në vendet e rajonit.
Në Bosnjë-Hercegovinë reshjet e dendura të dëborës dhe erërat e fuqishme kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe kaos në disa zona.
Kufizime të lëvizjes së automjeteve janë vendosur në Bosnje, Kroaci, Serbi dhe Slloveni, ku autoritetet kanë paralajmëruar për rrugë të rrëshqitshme dhe të bllokuara.