LAJMET E MBRËMJES

Rekomandohen mediat që ta minimizojnë mundësinë e shpërndarjes së lajmeve të rreme

Këshilli i Mediave të Shkruara ka publikuar një raport mbi keqinformimin, dezinformimin dhe lajmet e rreme në mediat online, në Kosovë, në të cilin janë dhënë një numër rekomandimesh për ta minimizuar mundësinë e shpërndarjes së lajmeve të rreme. Në tryezën, në të cilën është publikuar raporti, janë dhënë sugjerime për gazetarë, redaktorë e edhe lektorë, se si t’i luftojnë lajmet e këtilla

Në një raport të Këshillit të Mediave të Shkruara (KMSHK), u është bërë thirrje të martën redaksive të përpiqen që t’i respektojnë sa më shumë standardet profesionale dhe etike të të bërit gazetari, me synimin për ta minimizuar mundësinë e shpërndarjes së lajmeve të rreme.

Drejtori ekzekutiv i KMSHK-së, Imer Mushkolaj, apelin kryesor e ka drejtuar ndaj gazetarëve.

“Kur flasim për identifikimin edhe luftimin e lajmeve të rreme dhe dezinformimit duhet ta kemi parasysh se kjo më nuk është vetëm detyrë e organizatave dhe organizmave që merren mediat, por kjo është dhe duhet të jetë detyrë parësore e çdo gazetari ose secilës gazetare për shkak se vetë ideja se lajmet e tilla po shpërndahen me shpejtësi të madhe falë internetit, e shtron nevojën e identifikimit të tyre dhe ndërmarrjes së masave që ato të mos zënë vend në media”, ka thënë Mushkolaj.

Por, përfaqësuesit e gazetarëve, që ishin prezentë në tryezën, në të cilën është diskutuar raporti, kanë thënë se përgjegjësia për lajmet e rreme duhet gjuajtur diku tjetër.

“Duke parë se gazetarët kryesisht po sulmohen si rrjedhojë e shpërndarjes së këtyre lajmeve nga grupe të caktuara të interesit, ne jemi kthyer dhe jemi fokusuar më shumë edhe te luftimi i lajmeve të rreme duke i ngritur kapacitetet e gazetarëve”, ka thënë Getoarbe Mulliqi-Bojaj, drejtoreshë ekzekutive në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës. “ Ajo se çfarë është shumë shqetësuese për AGK-në është se barra kryesisht po bie mbi gazetarët, kur ne e dimë që ka hierarki nëpër media edhe nuk duhet me ra përgjegjësia vetëm mbi gazetarët. Përgjegjësia duhet me qenë mbi redaktorët dhe mbi kryeredaktorët”.

Qerim Onduzi ka prezantuar raportin e KMSHK-së dhe ka bërë të ditur se hulumtimi ka gjetur probleme përtej gazetarëve, që krijojnë rrethanën për lajme të rreme.

“Kemi hasur në mungesën e lektorëve dhe redaktorëve nëpër media për arsye të ndryshme, për arsye se kemi media me staf të vogël, për arsye se ka problem me rekrutimin e tyre e kështu me radhë”, ka thënë ai.

E përfaqësues të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) thanë të jenë nxjerrë akte rregullative, me të cilat synohet ngritja dhe profesionalizmi i mediave dhe evitimi i lajmeve të rreme.

“Në momentin kur vjen një televizion të licencohet, ai i ka disa kritere programore, profesionale, teknike e financiare. Nuk ndodh më që të licencohet një televizion që kryeredaktori e ka të kryer edukatën fizike. Për arsye se nuk është që niveli i tij profesional, mund të shtrihet edhe të gjejë ku ka lajme të rreme, gjuhë të urrejtjes, keqinformim e të tjera”, ka thënë Granit Musliu, nënkryetar i KPM-së.

Në raport, Këshilli i Mediave të Shkruara ka rekomanduar që gazetarëve dhe redaktorëve duhet krijuar më shumë mundësi për trajnime, që kanë të bëjnë me verifikimin e fakteve, dekonstruktimin e lajmeve të rreme dhe trajtimin e burimeve të dyshimta të informacionit.