LAJMET E MBRËMJES

Refuzohen 7 mijë nga 107 mijë aplikime nga diaspora, kërkohet nga KQZ-ja informimi i votuesve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nga 107 mijë aplikimet që nga diaspora për zgjedhjet e 9 shkurtit, rreth 7 mijë prej tyre janë refuzuar. Gjatë kësaj mbledhjeje pati kritika edhe për mungesën e informimit të votuesve të diasporës nga ana e KQZ-së. E po ashtu u rekomandua që të bëhet një zgjidhje për personat me aftësi të kufizuar, në mënyrë që të mos hasin në vështirësi.

Florinda Abazi

Nga 29 gushti deri më 26 dhjetor për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 janë regjistruar 107 mijë aplikime nga diaspora.

Ndërsa, rreth 7 mijë prej tyre janë refuzuar, shkaku që shumica nga to nuk i kanë përmbushur kriteret e kërkuara.

Në mbledhjen e KQZ-së u diskutua në veçanti për rishikimin e 154 rasteve të refuzuara për mosplotësim të kritereve për aplikim.

“Në momentin kur kanë aplikuar, kanë aplikuar me një dokument ose dy dokumente mangu. Pra, nuk i kanë përmbushur të gjitha kriteret për t’u vlerësuar si aplikim i rregullt. Por, në momentin e ankimit dhe kundërshtimit administrativ në KQZ, ata e kanë bashkangjitur dokumentin plotësues që ka munguar gjatë fazës së aplikimit. Tash po kërkohet nga ana e KQZ-së, rekomandimi i sekretariatit është që të refuzohen në tërësi ata edhe të kenë mundësi ankese në PZAP”, tha anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani.

Më pas u vendos që 128 aplikime të përfshihen në procesin e votimit, ndërsa 26 të tjera u refuzuan për shkak të mungesës së dokumenteve identifikuese të Kosovës dhe ato u tha se do të dërgohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Gjatë kësaj mbledhje pati kritika edhe për mungesën e informimit të votuesve të diasporës nga ana e KQZ-së.

E po ashtu u rekomandua që të bëhet një zgjidhje për personat me aftësi të kufizuar, në mënyrë që të mos hasin në vështirësi.

“Në këtë aspekt mendoj që duhet sa më parë të veprojmë jo vetëm për qendrat e votimit, por edhe për QKN-të, që ato të kenë qasje. Pra, t’i kenë këto pjerrinat apo të jenë të qasshme për të gjithë personat, përfshirë edhe ata me nevoja të veçanta dhe sekretariati t’i ndërmarrë të gjitha veprimet që të sigurohet që nëse komunat nuk i ofrojnë atë infrastrukturë të domosdoshme, atëherë është e obliguar KQZ-ja të marrë masa të ofrojë një infrastrukturë të përkohshme së paku vetëm për procesin zgjedhor”, tha anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Alban Kransiqi.

Me ndryshimet në Ligjin e ri për zgjedhje, përveç me postë, tani diaspora do të mund të votojë edhe në ambasada ose konsullata.

KQZ-ja ka njoftuar se është hapur edhe afati për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike, i cili do të jetë i hapur deri më 4 shkurt 2025.