Qytetarët e Maqedonisë së Veriut të mërkurën kanë votuar në zgjedhjet presidenciale, ku në garë kanë qenë shtatë kandidatë. E banorët shqiptarë, të cilët patën mundësi të zgjidhnin edhe mes dy kandidatëve shqiptarë për president, krahas pesë maqedonasve, nuk kanë pritje të mëdha nga kushdo që do të jetë president i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut.
Të mërkurën në Maqedoninë e Veriut është zhvilluar raundi i parë i zgjedhjeve të shtata presidenciale që nga pavarësimi i vendit.
Me gjithë ashpërsimin e diskursit në ditët e fundit të fushatës parazgjedhore si nga partitë shqiptare ashtu edhe ato maqedonase, dita e zgjedhjeve është zhvilluar e qetë, pa incidente, që do të mund ta cenonin procesin e votimit.
Sipas shifrave preliminare, dalja deri në orët e pasdites ka qenë 35 për qind.
Garës për president të Maqedonisë së Veriut ia kanë mësyrë 7 kandidatë - dy prej tyre shqiptarë.
E, qytetarë të shumtë që nga ora 7 e mëngjesit kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.
Me shtimin e fluksit pas mesditës, kohë pas kohe krijoheshin edhe radhë të qytetarëve në pritje për të votuar.
Ata dhanë vlerësime të ndryshme përkitazi me pritjet që kanë nga këto zgjedhje.
Votën e shqiptarëve e kërkuan dy kandidatët për president- Bujar Osmani nga koalicioni “Fronti Evropian” dhe Arben Taravari i koalicionit “Vlen”.
Pasi ka hedhur votën e tij në njërën prej shkollave në Shkup, ministri aktual i Jashtëm, Osmani, tha se këto zgjedhje janë përcaktuese për të ardhmen e vendit.
“Zgjedhjet janë vendimtare, sepse shteti është në udhëkryq. Qytetarët vendosin për izolimin ose integrimin. Besoj në fitore të Frontit për Evropën”, ka thënë Osmani.
E kryetari i Komunës së Gostivarit, njëherësh kandidat për president, Arben Taravari, e ka cilësuar më të rëndësishëm raundin e radhës, që pritet të mbahet më 8 maj.
“Sot bashkë me familjen e bëmë obligimin tonë si qytetarë të këtij shteti. Porosia ime është që këto zgjedhje të kalojnë fer dhe të jenë demokratike dhe në fund sot është dita kur sovrani vendos kush do t’i fitojë zgjedhjet. Dhe kushdo qoftë që merr më shumë përkhrahje do ta urojmë. Shpresoj që 8 maji të jetë ditë më e rëndësishme se sot”, ka deklaruar Taravari.
Sipas institucioneve të sigurisë, në përgjithësi procesi ka kaluar qetë dhe pa incidente të mëdha. Megjithatë, gjatë ditës janë raportuar disa shkelje.
Janë regjistruar dy fotografime të fletëvotimit, një në Shtip dhe një në Shkup.
Po ashtu në Çair janë shpërndarë fletushka nëpër veturat e parkuara me mbishkrime që bënin thirrje për bojkotim të procesit.
Në një tjetër vendvotim në Shkup u gjet një bombolë tymi e shpërthyer, por që nuk ka ndikuar në mbarëvajtjen e procesit të votimit.
Sipas sistemit zgjedhor, në raundin e parë është e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi kandidati duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën votuese apo gjysmën e votave të 1.8 milionë votuesve.
Në rundin e dytë do të kalojnë dy kandidatët me më së shumti vota. President i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut do të zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave, me kusht që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë mbi 40 për qind të elektoratit.