Fjalët përfundimtare i kanë paraqitur sot para Gjykatës Themelore në Pejë palët e përfshira në procesin gjyqësor ndaj Shaban Gogajt, që akuzohet për vrasjen e të riut Agonis Tetaj. Prokurori i rastit dhe avokati i palës së dëmtuar kërkuan që Gogaj të shpallet fajtor, porse vete i akuzuari ka deklaruar se vrasjen e kishte kryer nga pakujdesia dhe jo qëllimshëm
“Ky rast qa ka ndodhur, ky rast ka ndodhur veç pahiri dhe s’ka qysh del kurrqysh ma ndryshe. Ju mundeni gjithqysh me më dënu, nuk është asnjë pikë problemi. Dënimi është atë ditë kur të dal prej burgu edhe shkoj në kompani edhe nuk e shoh Agonisin”. Me këtë deklaratë e ka shprehur fjalën e tij përfundimtare i akuzuari për vrasje të rëndë, Shaban Gogaj.
I ngarkuar për vrasjen e të riut Agonis Tetaj në vendin e tij të punës, Gogaj ka shpalosur versionin e tij për rastin para Gjykatës Themelore në Pejës. Krahas tij, fjalët përfundimtare i kanë paraqitur edhe palët e tjera të përfshira.
Isuf Sadiku, prokuror i rastit, ka kërkuar që i akuzuari të dënohet sipas kodit penal, teksa ka shtuar se duhet që të merren parasysh edhe rrethanat lehtësuese, por edhe ato rënduese.
“Vepra penale është kryer në vend publik, lokal, dhe vend i punës ku viktima ishte i punësuar te biznesi i familjes së të akuzuarit, që kjo vepër ka paraqitur shqetësim te banorët e Deçanit dhe më gjerë. Viktima ka qenë familjar, prind i dy fëmijëve. Si rrethana lehtësuese të merret për bazë mosha e re e të akuzuarit”, ka thënë ai.
E Berat Tmava, avokat i familjes Tetaj, ka theksuar se prova më e fuqishme për dënimin e Gogajt është videoja që e shpërfaq momentin e vrasjes. Mbështetur në këtë, ai ka kërkuar që trupi gjykues të dëshmojë se problemet që janë shfaqur gjatë procesit gjyqësor nuk duhet që të ndikojnë në verdiktin final.
Fjalën përfundimtare nuk e ka shpalosur edhe avokatja Sabrije Abazi, që është caktuar sipas detyrës zyrtare për ta përfaqësuar Gogajn, pasi që ka thënë se për këtë nuk e ka marrë autorizimin nga i akuzuari.
Procesi gjyqësor ndaj Shaban Gogajt i është kthyer normalitetit pas më shumë se një viti zvarritje, të shkaktuara nga mospajtimet rreth përjashtimit të avokatit Besnik Berisha nga rasti. I akuzuari, i cili fillimisht ishte ngarkuar për vrasje nga pakujdesia e më pas për vrasje të rëndë, në rastin që ndodhi më 2018, aktgjykimin e shkallës së parë pritet që ta marrë të premten.