Në rastin ku ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi, është duke u rigjykuar, 4 nga 6 shtetasit turq që u dëbuan shtatë vjet më parë kanë dhënë dëshminë në dyer të mbyllura në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Gashi akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Seanca e 19 marsit dështoi për këtë rast, shkaku i mungesës së përkthyesit turk
Për arrestimin e dëbimin e tyre nga Kosova në aksionin e gjerë të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë më 29 mars të vitit 2018, të martën kanë dhënë dëshminë e tyre me dyer të mbyllura 4 nga 6 shtetasit turq.
Dëbimi e dorëzimi i tyre brenda ditës tek autoritetet turke, pati ngjallur reagime të shumta në publikun e Kosovës, por edhe në atë ndërkombëtar.
Pas seancës së 19 marsit, që dështoi si shkak i mungesës së përkthyesit turk, të martën, 4 prej tyre u paraqitën si dëshmitarë të Prokurorisë Speciale, në rigjykimin që në Kosovë po zhvillohet kundër ish-shefit të AKI-së, Driton Gashi, i akuzuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Seanca me kërkese të mbrojtjes së shtetasve turq, avokatit Urim Vokshi u mbajt e mbyllur për publikun.
“Propozojmë gjykatës që gjatë dhënies së deklaratës nga ana e palëve të dëmtuara, për shkak të ndjeshmërisë së deklaratës së tyre që të largohen mediat deri në përfundimin e deklaratave të tyre”, ka thënë Vokshi.
Kjo kërkesë e mbrojtjes së shtetasve turq, u aprovua nga kryetarja e trupi gjykues, Violeta Namani – Hajra.
Në gjykimin e parë për rastin, më 2023, Themelorja e shpalli fajtor Gashin, duke e dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim.
E nga akuza u patën liruar ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Ramadani, dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani.
Por, në dhjetor të 2024-tës, Apeli e ktheu rastin në rigjykim vetëm sa i përket pikës 1 të dispozitivit ndaj të akuzuarit Driton Gashi, teksa vërtetoi lirimin e dy të akuzuarve të tjerë.
Katër nga gjashtë shtetasit turq të dëbuar nga Kosova në mars të 2018-s: Yusuf Karabina, Hasan Hysein Gunakan, Cihan Ozkan dhe Osman Karakaya janë kthyer në Kosovë vitin e shkuar. Mustafa Erdem e Kahraman Demirez janë ende në Turqi.
Ndaj tyre, u pat zhvilluar proces gjyqësor në Turqi, të akuzuar si pjesëtarë të organizatës Feto, e shpallur terroriste në këtë vend.
Dëbimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi në vitin 2018, pati nxitur reagime ndërkombëtare, ku Kosova u kritikua për shkelje të të drejtave të njeriut.