Me aktakuzë aktive, Lëvizja Vetëvendosje ka në listë tetë kandidatë, koalicioni AAK-Nisma shtatë ndërsa LDK-ja një kandidat për deputet, është thënë në raportin e OJQ-ve. Sipas Burbuqe Kastratit, hulumtuese në Lëvizjen FOL, aktakuzat janë të natyrës korruptive, si keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, porse ka edhe të tilla për armëmbajtje pa leje, pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare dhe sulm ndaj personit zyrtar
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka në listën e saj zgjedhore 14 kandidatë për deputetë që kanë probleme me ligjin, koalicioni AAK-Nisma 8 ndërsa Lidhja Demokratike (LDK) 1, ka treguar raporti “Integriteti i kandidatëve, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë”, i cili është publikuar të enjten nga organizatat joqeveritare – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe INPO.
Burbuqe Kastrati, hulumtuese në Lëvizjen FOL, ka thënë gjatë prezantimit të raportit se këto parti së bashku kanë 23 persona që kanë probleme me ligjin teksa ka shtuar se veprat penale për të cilat ata kanë akuza aktive apo që janë dënuar në të kaluarën përfshijnë “keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”, “përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm”, “mbajtjen e paautorizuar të armëve” dhe “pengimin apo sulmin ndaj personave zyrtarë”.
“Nga gjithsej 23 kandidatë që kanë probleme me ligjin, 16 prej tyre janë duke u përballur me aktakuza aktive, ndërsa 8 kandidatë janë të dënuar për vepra penale. Në mesin e këtyre 16 kandidatëve, tre prej tyre kanë më shumë se një aktakuzë aktive, kështu numri total i aktakuzave aktive ndaj këtyre kandidatëve shkon në 20. Ndërsa, numri total i veprave penale shkon në 21”, ka theksuar Kastrati.
Gzim Shala, hulumtues në IKD, ka thënë se planprogramet e partive politike për drejtësinë dallojnë si për nga qasja, ashtu edhe për nga niveli i seriozitetit të tyre.
“Një problem që është në programin e LDK-së është se nuk ndjek një qasje të bazuar në evidencë... As programi i PDK-së nuk i referohet strategjisë për sundimin e ligjit, mirëpo përmend se do të miratohet strategjia kundër korrupsion, e cila ka munguar gjatë gjithë këtij mandati qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje, sundimi i ligjit trajtohet në një faqe të këtij programi”, është shprehur Shala.
E sipas Arbër Kadriut, hulumtues në INPO, prej 28 subjekteve politike të certifikuara për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit vetëm 13 kanë program politik.
Në raport përfshihen edhe të dhëna sa i përket dënimeve për vepra penale të kandidatëve për zgjedhjet e 9 shkurtit. Tetë kandidatë janë dënuar në të kaluarën për vepra të ndryshme penale. Por, atyre nuk iu pamundësohet gara në zgjedhjet e 9 shkurtit. Kjo pasi, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person që është i dënuar në formë të prerë në tre vjetët e fundit për një vepër penale me një ose më shumë vjet burgim, nuk mund të kandidojë në zgjedhje.
Edhe në zgjedhjet e mëparshme, në listat zgjedhore ka pasur kandidatë që kanë probleme me ligjin. Asokohe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk i pati certifikuar 47 kandidatë për shkak se janë shpallur fajtorë në tre vjetët e fundit, teksa në listën përfundimtare zgjedhore kanë kandiduar 15 persona që kishin probleme me ligjin.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garojnë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur. Në listat zgjedhore gjithsej janë 1.280 kandidatë për përbërjen e re parlamentare. Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova i mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në Kosovë janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.