Kryeministri Albin Kurti nuk është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili të hënën qëndroi për vizitë në Kosovë. Ai nuk ka pranuar të flasë për këtë ftohje raportesh. E Rama, nga Prishtina i ka dërguar porosi Kurtit se si duhet të menaxhohet procesi i dialogut Kosovë-Serbi, duke e këshilluar për ekip uniteti në raport me BE-në dhe për dalje nga kurthi në të cilin e ka futur Serbia
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qëndruar të hënën në Prishtinë, por nuk është takuar me homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti. Vetëm pak sekonda ka zgjatur përgjigjja e kryeministrit Kurti kur gazetarët e kanë pyetur për këtë çështje.
“Kemi seancë në ora 1”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Rama mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, që ka nisur të hënën në Prishtinë, në nderim të trashëgimisë politike të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Nga aty ai zgjodhi të dërgojë porosi për kryeministrin Kurti, veçanërisht për qasjen e Qeverisë së Kosovës në raport me dialogun me Serbinë.
Prishtina, sipas tij rrezikon të mbetet pa miq nëse përdor politikën e jashtme për të marrë vota brenda vendit.
“Sot, ne jemi në një proces ku thellohet gjithnjë e më shumë dhe në një formë gjithmonë e më shqetësuese, qasja ndaj politikës së jashtme, si politikë e brendshme dhe shfrytëzimi i platformave të komunikimit jashtë si tribuna për të marrë vota këtu. Kjo, patjetër që mund të ketë sukses elektoral, po kjo e lë Kosovën me gjithmonë e më pak besim nga ana e miqve dhe aleatëve të vet ndërkombëtar dhe në këndvështrimin tim, – meqë jemi sot për Ibrahim Rugovën, – nëse Kosova do të dilte nga kjo lojë ‘macja me miun’ në tryezë me Serbinë dhe me një ekip uniteti do t’i drejtohej Bashkimit Evropian duke thënë - ne nuk duam të flasim më me Serbinë se nuk kemi më çfarë flasim, ne jemi këtu për të folur me Bashkimin Evropian, për të përmbushur të gjitha detyrimet që kemi ne si Republikë e Kosovës në kontekstin e standardeve ndërkombëtare dhe të standardeve të Bashkimit Evropian dhe për t’u afruar me ju”, ka theksuar ai.
Rama ka thënë se nuk duhet marrë me Serbinë, pasi çfarë bën ajo “është punë e saj”.
“Këto mbledhjet për t’u mbyllur brenda me orë, vetëm për të dalë pas mbledhjes për të thënë se sa fort i qëndrova unë tjetrit, në mënyrë të dyanshme kuptohet, këto nuk të çojnë asgjëkund dhe unë nuk e kuptoj dhe nuk kam për ta kuptuar asnjëherë se çfarë lidhje ka e ardhmja e Kosovës dhe çfarë lidhje ka çdo detyrim që ka Kosova, jo në raport me Serbinë, por në raport me vetveten, në raport me standardet e një vendi që kërkon të hyjë në NATO, kërkon të hyjë në Bashkimin Evropian me se çfarë bën e çfarë s’bën, e çfarë i pëlqen e çfarë s’i pëlqen Serbisë’, ka shtuar ai.
Serbia, sipas Ramës, mund të mos dojë kurrë që t’i qaset idesë se duhet të njohë Kosovën dhe kjo thekson ai nuk duhet ta pengojë Kosovën që të përparojë në pikën ku të gjithë ta pranojnë dhe ta njohin si një shtet model.
“Jam i bindur që kjo gjë nuk është fantazi, kjo gjë është e arritshme, jam i bindur që kjo do ta nxirrte Kosovën nga kurthi ku e ka futur Serbia me provokimet e veta të vazhdueshme, por edhe ku në një farë mënyre është futur për shkak të shfrytëzimit të politikës së jashtme si politikë e brendshme. E thashë dhe më parë, ne jemi një popull gjithsesi i vogël, kemi dy shtete gjithsesi të vogla, ne nuk jemi kërthiza e botës dhe sa herë kemi menduar që jemi kërthiza e botës, e kemi pësuar shumë keq dhe sa herë që kemi kuptuar që duhet të jemi si ‘trimi i mirë me shokë shumë’ dhe se duhet ta kthejmë investimin e Ibrahim Rugovës dhe investimin e shumë të tjerëve, jo vetëm shqiptarë, por edhe miqve tanë ndërkombëtarë në një kapital për të ardhmen, aq herë ne ia kemi dalë të bëjmë gjënë e duhur”, ka shtuar ai, duke potencuar se Kosova i ka mundësitë për të ecur përpara.
Rama ndër të tjera ka thënë se krisja e raporteve në mes Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtarë, herët a vonë do të jetë e kushtueshëm.
“Siç thoshte mësuesi im Rolan Bard politika fillon me një dëshirë dhe pasion dhe pastaj ajo kthehet në veprim. Kështu fliste ati themelues i Kosovës së lirë të pavarur e demokratike i bindur se në arenën e lojës së madhe politike, kalorësit e idealeve duhet të zbresin në tokën e llogarive strategjike. Se aleatët dhe arbitrat e jashtëm kanë po aq rëndësi sa vullneti i brendshëm, se dogmatizmi dhe kryelartësia provinciale herët apo vonë kthehet në një ndëshkim shumë të kushtueshëm për popujt e udhëhequr me arsyen e pasionit dhe jo pasionin e arsyes“, ka deklaruar ai.
Kryeministri shqiptar u pyet për raportet me “vëllain e vogël”, referuar Albin Kurtit, meqë nuk ka qenë në agjendë takimi mes tyre.
“Vëllain e vogël e kam në Tiranë është drejtor i klubit ‘Partizani’, Olsi Rama... Ma bëtë pyetjen me shpresën që të më fusni në kurth por jam mësuar me këto kurthet. Po rashë në kurth hidhem vet, nuk më fut dot njeri”, deklaroi ai para mediave.
Ndërkaq, sa i përket grupit të unitetit për politikë të jashtme, Rama theksoi se duhet të ketë ndarje të interesit kombëtar nga ato partiake.
“Nuk është çështje personash, është çështje qasje, është çështje e ndarjes së interesit kombëtar nga interesat partiake dhe nga interesat e brendshme politike. Sepse unë besoj që kur Shqipëria dhe Kosova dalin jashtë kufijve nëpërmjet të zgjedhurve të tyre, aty janë një. Në kuptimin që Shqipëria është shteti i shqiptarëve, Kosova është shteti i shqiptarëve të Kosovës dhe i pakicave që mos të na thënë që po bëjmë ndonjë ‘provokacia’. Interesi kombëtar është ai që përcakton politikën e jashtme dhe është ai mbi të cilën pastaj përcaktohet edhe mënyra se si të tjerët na shohin. Dhe në këtë aspekt Ibrahim Rugova është njeriu që krijoi për Kosovën pasurinë më të madhe natyrore që janë aleatët dhe miqtë e Kosovës. Dhe po ashtu dha një shembull të jashtëzakonshëm me ekipin e unitetit që do të ishte një ide shumë e mirë”, u shpreh ai.
Kurti dhe Rama, pavarësisht bashkëpunimit formal mes dy qeverive dhe arritjes së disa marrëveshjeve të bashkëpunimit, kanë pas vazhdimisht përplasje personale. Kurti ka thënë se kanë mospajtime që kanë të bëjnë kryesisht në raportet e Ramës me Serbinë, përfshirë edhe nismën Ballkani i Hapur. Një takim mes tyre ka dështuar edhe në korrik të vitit të shkuar, kur Rama qëndroi në Prishtinë.