Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka shpalosur projektin për të cilin tha se do ta transformojë në shesh rrugën “Xhorxh Bush”. E, një nga drejtorët komunalë, tek arsyetoi projektin, tha se nuk ka në botë katedrale, pas sheshin ngjitur. Por qytetarët janë shprehur kundër idesë për ta kthyer në shesh një nga rrugët kryesore të kryeqytetit. Kundër mbylljes së rrugës, ata do të protestojnë të dielën, nga ora 12:00
Një ditë para protestës së paralajmëruar kundër mbylljes së rrugës “Xhorxh Bush”, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar projektin për shndërrimin e kësaj pjese në shesh.
Teksa ka prezantuar planin nëpërmjet fotografive, Rama ka thënë se do të ketë ndryshim të hapësirave përreth, duke bërë të ditur se të gjitha elementet e asfaltit do të shndërrohen në hapësira të gjelbra.
Ai u kërkoi durim qytetarëve për rezultate, duke thënë se plani për transformim përfshin periudhën tetë vjeçare.
“Jam empatik ndaj të gjithë qytetarëve, edhe atyre që janë të frustruar si rezultat i trafikut, por po them trafiku ka qenë kështu edhe më parë, pra me shumë vjet, më shumë se një dekadë ka qenë. Kemi pasur probleme me trafik dhe kjo është mënyra për ta zgjedhur problemin e trafikut, jo për përkeqësuar, se po them edhe kur ka qenë hapur, kemi pasur problem”, ka thënë Rama, sipas të cilit mbyllja e rrugës “Xhorxh Bush” nuk është faktor që ka ndikuar në kaosin në trafik në kryeqytet. “Edhe ta hapim sot, prapë kemi me pasë problem, por çka nuk kemi me pasë, nuk kemi me pasë hapësira të mira, të përshtatshme, të sigurta”.
Rama përsëriti se sheshi do të zgjatet fillimisht deri te Posta e më pas, deri te Rrethi i flamurit.
E drejtorët e tij i mbështetën planet, me ekzistimin e dokumenteve të mëhershme.
Drejtoresha e Planifikimit Strategjik, Mimoza Sylejmani, ka thënë se një plan i tillë daton që para 11 vjetësh.
“Qysh në vitin 2013, është votuar plani zhvillimor urban dhe e parasheh një bulevard të tillë. Domethënë, ka qenë me dokumente. Vetëm po zbatohet”, ka thënë Sylejmani.
E drejtori i Urbanizimit, Arbër Sadiki, ka theksuar se po merren praktika të shteteve të zhvilluara.
“Kur është bërë Kampusi Universitar sipër, i projektuar prej profesorit Bashkim Fehmiu, në vizionin e tij ka qenë që kjo pjesë me qenë e dedikuar për këmbësorë. Domethënë, flasim për 50 e kusur vjet më herët, sepse siç e tha kryetari, nuk është se po shpikim kushedi se çka. Nuk e di që ka ndonjë kryeqytet tjetër në botë ku rektorati me bibliotekën edhe me radion e tjerë e tjerë, nuk ndërlidhen me sheshe edhe nuk ndërlidhen me këmbësorë. E di që ka diku sheshe të cilat nuk kanë katedrale, por nuk ka katedrale që nuk ka shesh. Domethënë, ne gjithçka çka po bëjmë, po bëjmë diçka që gjithë qytetet e botës i gjejmë dhe në njëfarë mënyre po shtyjmë përpara disa sende, përfshirë edhe planin rregullativ ekzistues të qendrës që e parasheh që kjo zonë të ndërlidhet me pjesën sipër të bibliotekës”, ka thënë Sadiki.
Për ta dëgjuar orezantimin, në komunë u paraqit edhe qytetari Nexhmedin Llapashtica. Por, u largua nga zyrtarët komunalë para se të niste konferenca për media.
Ai dhe qytetarë të tjerë kërkuan që para se të merren vendime, të dëgjohet zëri i tyre.
“Unë mendoj se, e kam thënë edhe sot kur isha i pranishëm kur e dha deklaratën por nuk na la si qytetarë me dhanë fjalën tonë... Duhet me dhanë çdo qytetar mendimin e vetë se qytetari po është i lirë me ia dhanë votën këtij zotërisë që e kanë bërë kryetar, mirëpo në të gjitha punët që i kryejnë nuk merren parasysh qytetarët. Çka po ndodh kjo? E drejta e qytetarëve po shkelet. Ne po e votojmë dhe jemi të gatshëm t’i ndihmojmë, ta përkrahim, mirëpo jo pa na pyet në qytetarëve”, ka thënë Llapashtica.
E Bahri Rashiti u shpreh se projekti duhet kundërshtuar dhe se hapja e rrugës është dashur të kërkohet me protestë shumë më herët.
“Është dashur shumë më herët me protestu për këtë. Po e këqyri, protestat po bëhen në rrjete sociale e ato nuk çojnë peshë hiç. Të gjithë e shprehin mllefin me lloj-lloj komentesh e këto edhe nuk del me protestu tamam si duhet, se me të vërtetë sheshi është i mirë, mirëpo e kundërta e sheshit, ngarkesat në qytet, ato s’janë të mira as për mua, as për atë tjetrin, as për kryetarin e as për ata që e kanë marrë këtë vendim”, ka thënë Rashiti.
Mbylljen e rrugës e kundërshtoi edhe qytetari Nevruz Nushi, i cili tha se ky veprim ka krijuar kaos në kryeqytet.
“Kryetari i Prishtinës ka ardhur prej Londrës. Mendon se këtu janë të gjitha punët qysh duhet e një 500 metrash e ka bllokuar komunikacionin dhe e ka bërë kaos në pjesë të tjera. Kështu që nuk është në rregull ajo. Nuk është dashur me i mbyllë ato”, ka thënë Nushi.
E disa të tjerë që u deklaruan pro gjendjes aktuale të rrugës “Xhorxh Bush”, shprehën vërejtje për mënyrën se si është organizuar kjo pjesë.
Protesta kundër mbylljes për vetura të rrugës “Xhorxh Bush” është paralajmëruar të mbahet të dielën nga ora 12:00.