LAJMET E MBRËMJES

Rama e Plenkoviq kërkojnë masa kundër Serbisë për shkak të dhunës në Kosovë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian që të marrë masa ndaj Serbisë pas sulmit që ndodhi ditë më parë në Banjskë të Zveçanit. Ata e kanë quajtur shqetësues edhe reagimin e Serbisë duke shpallur ditë zie për kriminelët e vrarë, duke thënë se me këtë në një formë pranon përgjegjësinë për sulmin.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologu i tij kroat, Andrej Plenkoviq, u kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe vendeve perëndimore që të marrin masa kundër Serbisë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës.

Rama gjatë një vizite në Zagreb ka thënë se sulmi i grupit, siç e ka quajtur kriminel, është aq shqetësues sa vetë reagimi i Beogradit me shpalljen e ditëve të zisë.

“Ne konsiderojmë se të dyja, e para, vrasja e një efektivi të policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal i armatosur deri në dhëmbë, i veshur ushtarakisht në territorin e Republikës së Kosovës dhe zija kombëtare e shpallur në Beograd për anëtarët e këtij grupi që u eliminuan nga Forcat e Sigurisë së Kosovës janë të pajustifikueshme, janë të papranueshme dhe janë të dënueshme në të gjitha nivelet”, ka theksuar Rama.

E kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, ka thënë se sulmi në veri duket të mos ketë qenë i rastësishëm dhe BE-ja duhet të ndërmarrë masa ndaj Serbisë.

“Kroacia e dënon me forcë vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës nga grupe të armatosura, të cilat kanë qenë të armatosura në një formë të tillë që tregon se këtu bëhet fjalë për një operacion të planifikuar, pasi që me pajisje të tilla dhe me një numër të madh të tillë njerëzish nuk është diçka që ka ndodhur rastësisht. Dhe si i tillë ne konsiderojmë që kjo ngjarje është diçka shumë serioze dhe është një sinjal i fortë që tregon se ka forca të cilat duan ta destabilizojnë situatën në Kosovë dhe të destabilizojnë raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe dëshirojnë ta destabilizojnë situatën në Evropën Juglindore”, ka deklaruar Plenkoviq.

Derisa kryeministri kroat shprehu bindjen se do të ketë masa nga BE-ja ndaj Serbisë, Rama theksoi se ato duhet të aplikohen pa humbur kohë pasi, sipas tij, vendimi i Beogradit për ditë zie nuk lë vend për interpretim tjetër”.

Ditë më parë Serbia mohoi përfshirjen në sulm. Megjithatë, të premten, nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, mori përgjegjësinë për sulmin dhe njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga posti që mbante në partinë që ka mbështetjen e Qeverisë serbe.