LAJMET E MBRËMJES

Qytetarët në Prishtinë protestojnë, kundërshtojnë mbylljen e rrugës “Xhorxh Bush”

Përmes një proteste të organizuar në rrugën “Xhorxh Bush” qytetarët shprehën kritika ndaj projektit të Komunës së Prishtinës për mbylljen e kësaj rruge. Ata kritikuan kryetarin Përparim Rama për mospërfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse e disa e akuzuan se për përfitime personale ka vendosur në mbylljen e rrugëve dhe shndërrimin e tyre në sheshje.

Dhjetëra banorë në Prishtinë kanë shprehur kritika ndaj projektit për mbylljen e rrugës “Xhorxh Bush” dhe shndërrimin e saj në shesh.

Përmes një proteste të organizuar, ata treguan për vështirësitë me të cilat janë përballur që nga mbyllja e kësaj pjese për qarkullim të automjeteve.

“Shumë banorë kanë qenë të mbyllur, kanë qenë të ngulfatur, nuk kanë mundur dhe nuk kanë pasur qasje të afrohen në banesat e tyre. S’kanë arrit të bëjnë furnizimin as për festa, s’ka mundur të vijë ndihma e shpejt për rastet të cilat kanë ndodhur, prandaj duhet një koordinim një bashkëpunim i organeve të Kuvendit Komunal me qytetarë. Kryetari i Komunës po më përngjan sikur të jetë një drejtor i lagjes ‘Xhorxh Bush’”, ja thënë Hamit Hoti, qytetar.

E një qytetar tha se ka dyshime që projekti, të cilin e prezantoi të shtunën kryetari Rama, është për përfitime personale.

“Kur ke projekti ti fillimisht duhesh të bësh rrugët anësore, alternative, pastaj të krijosh metro. Mundesh nga rrethi më flamur deri në hyrjen për Podujevë të krijosh një metro, pastaj mundet ai të dal lartë e te ekspozohet e të thotë ja unë jam ai që e bëra, nuk është ky në pyetje është aferë korruptive dhe përfituese”, ka thënë Bajram Asllani, qytetar.

Qytetarët e kritikuan Komunën për mospërfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse.

“Qyteti i Prishtinës është i krejt Prishtinës, nuk është vetëm i Përparim Ramës. Le ta dinë Përparim Rama se për këtë kryeqytet edhe ne paguajmë tatime. Le të del dhe t’i pyet qytetarët a jeni të kënaqur me këtë vendim e ne përgjigjemi dhe jo askush sot nuk ka dal prej komunës. Ku është Përparim Rama”, ka thënë Ramize Curri, qytetare.

“Mos të pengohet jetesa me mbulim artificial se po na duhet për Katedrale e jo për qarkullim. Me të vërtetë e ka vështirësuar qarkullimin dhe kjo nuk është në rregull”, është shprehur Gazmend Begolli, qytetar.

E Fatmir Selimi i kritikoi banorët e tjerë të kësaj pjese për mospjesëmarrjen në protestë

“Shumë po më çudit fakti që po shoh aq pak njerëz dhe tanë ditën në Facebook shkruajnë e flasin pa lidhje, unë me qenë kryetar ndoshta e kisha mbyll deri te Veterniku, sepse veç po flasin e kur është puna të protestojnë asnjëri nuk është këtu”, ka deklaruar Fatmir Selimi, qytetar.

Kryetari Rama ka kërkuar nga qytetarët që të kenë durim.

Projekti i Komunës synon që rrugët deri te Rrethi i Flamurit të kthehen në sheshe. Plani për transformim përfshin periudhën tetëvjeçare.