Me mijëra qytetarë kanë vizituar të mërkurën kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, me rastin e Ditës së Forcës. Ata janë shprehur krenarë për punën dhe përgatitjen e ushtarëve të FSK-së. Teksa kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë potencuar avancimin dhe rritjen e kapaciteteve dhe të infrastrukturës së Forcës së Sigurisë
Disa me flamuj në duar e disa të tjerë të veshur me veshje kombëtare, me mijëra nxënës por edhe qytetarë të tjerë kanë marrë rrugën drejt kazermës kryesore ushtarake “Adem Jashari” në Prishtinë për t’i parë nga afër ushtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK).
Kazerma i ka hapur dyert për vizitorët të mërkurën, me rastin e shënimit të Ditës së Forcës.
Për 21-vjeçaren Flutura Nishorin është hera e parë që qëndron në kazermë. Ajo këtë vizitën e përshkruan si një ndjenjë e veçantë.
“Është hera e parë që po e vizitoj kazermën. Është njëfarë kënaqësie, për faktin që dihet që lufta nuk ka qenë shumë kohë..., edhe fakti që kam ardhur sot me prindin për ta vizituar është një ndjenjë më e mirë, kështu që duhet të vizitohet, sepse gjeneratat e reja janë më të larguara nga kjo pjesë”, thotë ajo.
E babai i saj, Ramadan Nishori, thotë që të bijën dhe fëmijët e tjerë të tij kujdeset që t’i mbajë të informuar mbi historinë e Kosovës.
“Me mundësitë tona që i kemi i informojmë fëmijët. Bukur shumë ju flasim si për Forcën e Sigurisë, si për UÇK-në, si për dëshmorë, si për të gjithë. Për çdo vit vij këtu, vetëm nëse jam në punë, nganjëherë e ndryshoj edhe orarin e punës vetëm për të ardhur dhe për ta vizituar këtë ushtri”, shprehet ai.
Në kuadër të vizitës në kazermë, nxënës të shkollave fillore dhe të mesme kanë dëgjuar nga ushtarët e FSK-së përshkrimet e hollësishme mbi specifikat e pajisjeve që ata i përdorin.
Për ato që i kanë parë dhe i kanë dëgjuar, qytetari Milaim Bajrami është shprehur krenar për ushtrinë.
“Ti shohësh këta djem po më kënaqet zemra. Le të dinë që e kemi ushtrinë tonë. Atëherë kemi shkuar në xhepa çka kemi pasur municion, tash e kemi mbrapa, na vjen municioni sa të duash, vetëm duhet pasur zemër, duhet ta mbrojmë çdo cep të Kosovës”, shprehet ai.
Krahas qytetarëve, në kazermë të mërkurën kanë qëndruar edhe zyrtarë të Qeverisë, para të cilëve ushtarët e FSK-së kanë shpalosur hollësi mbi mjetet e ekspozuara.
E tek foli para tyre, kryeministri Albin Kurti ka theksuar rritjen e kapaciteteve për FSK-në.
“Nëse e krahasojmë me vitet paraprake, kemi dyfishim të shtimit të numrit të ushtarëve, trefishim të buxhetit, katërfishim të trajnimeve dhe shumëfishim të pajisjeve nga Turqia, Gjermania, Kroacia e nga vendet e tjera. Shumica e tyre janë nga buxheti i Kosovës e të tjerat nga donacionet. Kemi themeluar komisionin ndërministror, i cili ka për detyrë për negociata për fabrikën e municionit dhe dizajnin e fluturakëve pa pilotë”, ka thënë ai.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se në funksion të plotësimit të infrastrukturës është edhe vendimi i Qeverisë për fillimin e industrisë ushtarake.
“Këtë ditë po e shënojmë edhe me një hap shumë të rëndësishëm në plotësimin e infrastrukturës së mbrojtjes dhe sigurisë, atë të fillimit të industrisë ushtarake që është një komponent i rëndësishëm për qëndrueshmërinë shtetërore në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë. Në ditët në vijim do të komunikojmë me gjithë ata që kanë shfaqur interesim për mbështetjen e këtij projekti me qëllim që të finalizojmë këtë projekt në kohë të duhur dhe Kosova të ketë fabrikën e parë të prodhimit të municionit, fabrikë shtetërore, si dhe të ketë laboratorin e parë për dizajnimin e dronëve, kur dihet që dronët tashmë janë një sistem i ri i futur në përdorim operacional në luftërat e fundit dhe tejet i suksesshëm. Për këtë kemi mbështetjen e aleatëve dhe partnereve tanë dhe do të vazhdojmë të komunikojmë me ta”, ka thënë ai.