LAJMET E MBRËMJES

Qytetarët do ta paguajnë koston e moskoordinimit mes nivelit lokal dhe atij qendror

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar nenin që parashihte faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë deri në shqyrtim të plotë të ligjshmërisë së tij. Vendimi është mirëpritur nga komunat, të cilat e kanë konsideruar ndërhyrje të nivelit qendror në të hyrat e tyre. Ato kanë fajësuar nivelin qendror për moskoordinim, duke thënë se qytetarët do t’i vuajnë pasojat e veprimeve të Qeverisë. E nga Qeveria kanë thënë se Kushtetuesja ka marrë vendim për “t’i mbrojtur komunat nga vetvetja”

Qytetarët do ta paguajnë koston e moskoordinimit mes nivelit lokal dhe atij qendror. Atyre përveçqë iu është rritur fatura e tatimit në pronë në fillim të këtij viti, aktualisht nuk do të mund të përfitojnë as nga falja e 100 eurove që parashihej me ndryshimet në Ligjin për tatimin në Pronë.

Gjykata Kushtetuese të hënën ka pezulluar deri në nëntor nenin që mundësonte faljen, derisa të shqyrtojë përfundimisht ligjshmërinë e ligjit, të cilin e atakoi ditë më parë Komuna e Prizrenit.

“Vendosja e masës së përkohshme ndaj nenit 5 të ligjit të kontestuar, përkatësisht pezullimi i efekteve të tij deri në vendimmarrjen përfundimtare të Gjykatës, mundëson evitimin e cenimit të përgjegjësive komunale dhe zvogëlimit të të hyrave përkatëse komunale, në rast që Gjykata përmes vendimmarrjes përfundimtare konstaton që neni i lartcekur nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Ligji parashihte që kuvendet komunale të votojnë veç e veç nëse janë pro faljes së 100 eurove nga tatimi deri më 15 shtator të këtij viti.

E drejtori i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, fajin për pasojat që do t’i vuajnë qytetarët ia hedh nivelit qendror. Ai thotë se disa herë kanë kërkuar që faturat e tatimit të jenë të njëjta me ato të 2022-s, porse kërkesat, sipas tij, nuk u morën parasysh.

“Qeveria ka marrë vendim që në krizën më të madhe ekonomike në inflacionin më të lartë, ku vitin e kaluar kemi pasur edhe numra dyshifrorë të inflacionit t’i ngrijë faturat e tatimit në pronë. Për çdo pasojë që vuan qytetari fajet i ka Qeveria, sepse ka bërë ngritje të faturave të tatimit në pronë dhe ka marrë vendime pa konsultat me komunat dhe tash fajet i ka niveli qendror dhe pasojat i vuan në mënyrë të drejtpërdrejtë xhepi i qytetarit”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka thënë se ka pasur opinione nga komunat ku është shprehur kundërshtimi për rivlerësimin e bërë nga Ministria e Financave.

“Ne si asociacion kemi kërkuar që fatura e tatimit në pronë të jetë e njëjtë me vlerat e tatimit në pronë me faturat e vitit 2022, kur nuk do të kishim këso lloj rritjeje. Por, niveli qendror duke pasur parasysh që po i merr vendimet pa konsulta paraprake ka marrë vendim që qytetarëve t’ia shtrenjtojnë faturat e tatimit në pronë në 100 për qind, në disa raste edhe më shumë dhe si pasojë pastaj pasi i kanë ngritur faturat e tatimit në pronë ka marrë një vendim tjetër, hajde se po i falim por në kurriz të komunave”, ka thënë ai.

Sipas tij, niveli qendror nëse do t’i falë tatimet duhet t’i bartë pasojat financiare.

E ndaj vendimit të Kushtetueses ka reaguar ministri i Financave, Hekuran Murati. Ai ka thënë se Gjykata ka vendosur masë pezulluese për t’i mbrojtur komunat nga vetvetja.

“Gjykata Kushtetuese paska marrë vendim për pezullimin e nenit 5 të ligjit të ndryshuar për Tatimin në Pronë, nen ky i cili mundëson komunat të falin një pjesë të barrës tatimore për vitin 2023, deri në 100 euro. Neni 5 e përcakton që vendimmarrja për falje u takon komunave. Me fjalë të tjera, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë pezulluese për t’i mbrojtur komunat nga vetvetja”, ka thënë ai.

Ironike, sipas tij, është pezullimi i vendimeve që disa komuna tashmë kanë marrë për faljen e një pjese të barrës tatimore.

“Masa e pezullimit është vendosur deri më 30 nëntor, mjaftueshëm sa për të qenë më vonë se afati i fundit për pagesën e këstit të dytë të tatimit në pronë, që është më 30 shtator.

Pra po del ajo që pata paralajmëruar për gardën e vjetër, se qëllimin e kanë që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata ‘do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese’”, ka thënë Murati.

Ai ditë më parë pati thënë se Ligji i miratuar më 2018 parasheh që vlerësimi i pronave të bëhet sipas tregut dhe pos për objektet të llogaritet edhe tatimi për tokë.

“Thanë se qytetarit po i vihej barrë e papërballueshme dhe se po të ishte në dorën e tyre do ta letësonin këtë barrë. Qeveria Kurti e bëri këtë të mundur duke miratuar ndryshimin e Ligjit për Tatim në Pronë, ashtu që secila komunë të kishte mundësinë të falte faturat deri në 100 euro për vitin 2023, për të gjithë tatimpaguesit”, pati thënë Murati.

Për faljen e 100 eurove të tatimit në pronë kanë votuar Kuvendi Komunal i Graçanicës, ai i Obiliqit dhe ai i Drenasit. Faljen në rend dite e pati të hënën edhe Komuna e Prishtinës, porse pas vendimit të Kushtetueses për pezullim, kjo pikë nuk u shqyrtua.

“Si rezultat i Ligjit të ri që Qeveria e ka bërë për falje të tatimeve, ne kemi përgatitur propozimin tonë që në bazë të atij vendimi që e kemi marrë para disa muajsh ku edhe kemi vendosur që secili ndryshim nga viti 2022 në 2023 t’u falet qytetarëve. Kemi propozu që kjo falje të vijë prej nivelit qendror, mirëpo niveli qendror nuk ka qenë i interesuar për me financu këtë falje dhe ne jemi pajtuar që ta bëjmë këtë”, ka thënë kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Rivlerësimi i pronave që u bë nga Departamenti për tatim në pronë në kuadër të Ministrisë së Financave ka ndikuar që faturat e tatimit të rriten për gati 100 për qind. Kjo nxiti reagim te qytetarët që, sipas tyre, kostoja është e papërballueshme.

Qeveria më pas inicioi ndryshimet ligjore në Ligjin për tatimin në pronë, duke mundësuar që kuvendet komunale t’ua falin nga 100 euro të tatimit qytetarëve.

Por kjo, sipas komunave, është ndërhyrje në kompetencat dhe të hyrat e tyre. Dëmi nga ky vendim sipas komunave është rreth 30 milionë euro.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) vazhdimisht e ka kundërshtuar këtë ligj.

Kërkesa është dërguar në Kushtetuese nga Komuna e Prizrenit, pasi që AKK-ja nuk është palë e autorizuar për t’iu drejtuar Kushtetueses. Por, kjo komunë ka kërkuar që masa e sigurisë të vlejë për të gjitha komunat, ashtu sikurse edhe vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

E Faton Fetahu nga PDK-ja njëherësh përfaqësues i autorizuar i Komunës së Prizrenit, e cila udhëhiqet nga kjo parti, ka mirëpritur vendimin e Kushtetueses.

“Ashtu edhe siç pritej, sot Gjykata Kushtetuese kumtoi vendimin e saj për miratimin e kërkesës për vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të dispozitës ligjore lidhur me faljen e tatimit në pronë, e cila brenda vetes fshihte mashtrimin e madh të një qeverie të tërë, që meritat për falje i kishte përvetësuar, e detyrimin për pagesën e tatimin ua la në barrë komunave”, ka thënë ai.

Sipas tij, kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, paraqet rastin e parë që një komunë, sipas autorizimit kushtetues, ngre një rast në Gjykatën Kushtetuese pasi, siç ka thënë, është hera e parë që pushteti qendror cenon përgjegjësitë komunale dhe zvogëlon të hyrat e të gjitha komunave të Kosovës.

Ai ka thënë se ky ligj, si ti tillë, nuk e kalon dot testin e kushtetutshmërisë.

“Ballafaqimi i kësaj qeverie dhe shumica parlamentare me qytetarët për rritjen e tatimit në pronë si rezultat i vlerësimit të ri të pronave – i realizuar nga Ministria e Financave (2022), është i domosdoshëm. Ky mashtrim as nuk mund të fshihet e as nuk mund t’u faturohet komunave. Qytetarëve tatimin në pronë ua ka ngritur Qeveria dhe komunat në këtë pikë nuk e kanë asnjë përgjegjësi. E vërteta do të dalë në fund. Dhe për këtë do të angazhohem fuqishëm deri në fund të procesit”, ka shkruar Fetahu.

Kohëve të fundit edhe disa nisma të tjera ligjore të Qeverisë kanë ngecur në filtrin e Kushtetueses.