LAJMET E MBRËMJES

Qytetarë të shumtë u mblodhën në Prishtinë për të kremtuar ditëlindjen e Skënderbeut

Të hënën në sheshet e kryeqytetit pati festë. Qytetarë nga treva të ndryshme shqiptare u mblodhën për të festuar ditëlindjen e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu. Për këtë ditë u mbajt edhe një tryezë shkencore dhe u shfaq një ekspozitë në Prishtinë

Me flamuj, plisa e veshje kombëtare shumë qytetarë të mbledhur në sheshet e Prishtinës festuan të hënën ditëlindjen e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu.

Marshimi i qytetarëve nisi para katedrales “Nëna Terezë” me një këngë kushtuar heroit Adem Jashari.

Dikush i veshur me fustanellë, dikush i mbuluar me një flamur të UÇK-së, qytetarët marshuan deri te sheshi “Zahir Pajaziti”, ku iu bashkua një aktor i veshur me kostum si të Skënderbeut. Fjalimi i tij mori duartrokitje të shumta.

“Një ditë shumë e veçantë për shqiptarët e Kosovës që kremtojnë me dinjitet dhe devotshmëri ditëlindjen e krye-heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, profetit të shqiptarëve. Do të marshojmë me dinjitet për ta nderuar profetin e shqiptarëve”, tha aktori Xhevat Limani.

E te sheshi që mban emrin e heroit ishte e vendosur skena ku u mbajtën fjalime e performanca artistike, por paraprakisht u bënë nderime para shtatores së Skënderbeut.

Nijazi Gashi, kryetar i organizatës “Shqiptaria”, që edhe e organizoi këtë program, tha se tradicionalisht 6 maji është festë te shqiptarët.

“Shumë festa të rëndësishme kombëtare ngërthejnë më shumë se një motiv. Njëjtë është edhe me ditën e 6 majit që në traditën tonë të lashtë festohej si dita e motmotit, që në ndërkohë u shndërrua në ditën e Shën Gjergjit”, theksoi Gashi.

Agim Pepaj nga Brekoci i Gjakovës, me përkrenaren e Skënderbeut e me veshje kombëtare, tha se ka ardhur nga Zvicra për këtë ngjarje.

“Pikërisht për këtë ditë jemi ardhur, për mua dhe për shumë si unë kjo është festë kombëtare. Me që është festë kombëtare kemi ardhur mu në Prishtinë ta festojmë, të shtunën ishim në Gjakovë, në përurimin e shtatores së Skënderbeut, sot jemi këtu e nesër do vazhdojmë për Zvicër””, deklaroi Pepaj.

Hamdi Malushaj nga Peja u shpreh se nuk mungon në asnjë ceremoni që mbahet për Gjergj Kastriotin.

“Unë në nder dijen dhe vetëdijen time, Skënderbeun e kam të shenjtë. Kushdo që thirr për Skënderbeun mua më ka aty. Jam i vetëdijshëm për vlerat që i kemi trashëguar dhe cilat vlera na i ka dhënë, vetë ekzistenca jonë është kontributi i tij. Për këtë edhe kam dal”, tha Malushaj.

Për këtë ditë të hënën u mbajt edhe një tryezë shkencore dhe u shfaq një ekspozitë në Prishtinë.
Skënderbeu lindi para 619 vjetësh.