Një ditë pasi Agjencia Kadastrale i regjistroi si prona të Manastirit të Deçanit, edhe 14 hektarët që i njihen me vendimin e Kushtetueses, këtë objekt fetar e ka vizituar emisari amerikan, Gabriel Escobar. Veprimi është përshëndetur edhe nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it, sipas të cilëve kjo është në përputhje me aspiratat evropiane dhe euroatlantike të Kosovës
Urdhri i kryeministrit Albin Kurti adresuar Agjencisë Kadastrale për të zbatuar vendimin e Kushtetueses për pronat e Manastirit të Deçanit, është mirëpritur të enjten nga shtetet e QUINT-it. Në një deklaratë të përbashkët, ambasadori i Francës, ai i Gjermanisë, i Italisë, i Mbretërisë së Bashkuar dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë thënë se veprimi është në përputhje me aspiratat evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.
“Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian mirëpresin dhe përgëzojnë Qeverinë e Kosovës për veprimin për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, që konfirmon pronësinë e Manastirit të Deçanit të disa hektarëve tokë. Udhëzimi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës për të regjistruar këtë tokë në emër të Manastirit të Deçanit dhe sigurimi që ky veprim është përmbyllur paraqet hap të rëndësishëm përpara të autoriteteve kosovare në përputhje me aspiratat evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në deklaratë.
Në të është theksuar se zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të domosdoshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike.
E, një ditë pasi Agjencia Kadastrale i ka regjistruar si prona të Manastirit të Deçanit, edhe 14 hektarët që i njihen me vendimin e Kushtetueses, këtë objekt fetar e ka vizituar emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Aty nuk është deklaruar për media.
Por ka folur për Radio Gorazhdecin, pas një vizite që i ka bërë Pejës, ku ka takuar kryetarin Gazmend Muhaxheri dhe të rinj të disa komuniteteve.
Escobar ka thënë se qëllimi i vizitës në Kosovë është të dëgjojë njerëzit e prekur nga vendimi i BQK-së, me të cilin ndalohet dinari.
“Kam dashur të vij në këtë qytet, të dëgjoj tregimet e dorës së parë të njerëzve se si janë prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Është e vështirë t’i dëgjosh këto histori dhe të qëndrosh indiferent. Këtu ka një komunitet që është me të vërtetë është duke vuajtur. Ka njerëz që po përballen me probleme reale për shkak të mungesës së mundësive për të marrë pensione”, ka thënë Escobar.
Ai ka thënë se dëshiron të punojë me Qeverinë e Kosovës, me shpresën për të gjetur zgjidhje urgjente.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë në të. Dhe sa i përket Qeverisë së Kosovës, ajo ka përgjegjësinë për ta arritur këtë dhe ne do t’i mbajmë ata përgjegjës për këtë. Unë mendoj se të gjithë njerëzit në Kosovë mund të llogarisin në mbështetjen amerikane – shqiptarët, serbët, boshnjakët, të gjithë ata që jetojnë në këtë vend. Shpresoj se ata mund të ndiejnë mbështetjen amerikane dhe partneritetin amerikan”, ka theksuar Escobar.
Ai ka folur shkurt edhe për propozimin franko-gjerman.
“Në afat më të gjatë, ne duhet të punojmë ende shumë për të zbatuar marrëveshjen historike të normalizimit që arritëm marsin e kaluar, kështu që ne do të vazhdojmë të punojmë”, ka thënë emisari amerikan.
Një ditë më parë pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Escobar përshëndeti veprimet për zbatimin e vendimit të Kushtetueses për tokën e Manastirit të Deçanit, ndërsa shtroi nevojën për të gjetur një zgjidhje për Rregulloren e BQK-së që ndalon dinarin.