Ndonëse e kanë konsideruar të padrejtë, Qeveria e Kosovës i është dorëzuar kushtëzimit që draftstatutin e Asociacionit ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese. Në një letër të re zotimi, të dorëzuar nga ministrja Donika Gërvalla në Këshillin e Evropës, Kosova ka marrë përgjegjësinë që të hartojë dokumentin e formimit të Asociacionit, e që atë ta dërgojë për shqyrtim në gjykatë deri në fund të majit. U kërkua që pas këtij veprimi Kosovës t`i mundësohet anëtarësimi në KiE.
“Rebelimit” 11-vjeçar kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe kryeministri Albin Kurti i dha fund me zotimin për ta themeluar atë.
Në prag të takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ai iu dorëzua kushtëzimit të anëtarësimit në KiE me Asociacion, edhe pse një gjë të tillë e ka kundërshtuar vetë ai.
Të enjten ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, zotimin për ta përgatitur draftstatutin ia përcolli presidentit të Asamblesë së Këshillit të Evropës.
Aty theksohet se ekzekutivi ka nisur me hapa konkretë dhe të prekshëm në drejtim të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të zbatimit të saj, duke përfshirë Asociacionin që nga 17 prilli.
“Në përputhje me frymën e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazë, ne tashmë kemi filluar konsultimet me përfaqësuesit e pjesëtarëve të komunitetit serb për të marrë parasysh nevojat e tyre. Në këtë drejtim Qeveria e Kosovës po përgatit një draftstatut për Asociacionin, të inspiruar nga FES-i, që do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të majit 2024. Duke pasur parasysh këta hapa konkretë dhe të prekshëm të ndërmarrë nga Kosova, presim që Komiteti i Ministrave të ketë arsye shtesë ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës”.
E në një konferencë për media ministrja Gërvalla tha se zotimi është vetëm përsëritje e gatishmërisë nga kryeministri Kurti për të hartuar një dokument të tillë, ofertë e cila i është refuzuar deri më tani.
“Shpresojmë të pranohet këtë herë, por kjo prani varet nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe nuk varet më nga ne. Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit”, tha Gërvalla.
Këtë veprim Qeveria e ka ndërmarrë në kohën kur ka takim Komiteti i Ministrave, që do të zhvillohet të enjten dhe të premten e në agjendë të së cilit nuk është çështja e anëtarësimit të Kosovës.
Gërvalla ka thënë se për këtë çështje janë konsultuar me ndërkombëtarët ndonëse nuk ka pranuar të tregojë nëse kanë përkrahje nga ta për të.
“Angazhimi ynë është shumë I sinqertë dhe shumë serioz por ne presim që partnerët tanë ndërkombëtare që ta vlerësojnë këtë angazhim, ta vlerësojnë këtë zotim. Dhe varësisht nga reagimi i palës tjetër ne do të shohim se a do të jemi në gjendje të draftojmë një dokument të tillë edhe më pas ta paraqesim”, tha Gërvalla.
Ajo ka konsideruar se hapi i ndërmarrë nuk është i vonuar.
Pas votimit në Asamble, Kosovës i është kërkuar dërgimi i draftstatutit të Bashkimit Evropian në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.
Një gjë e tillë është kundërshtuar nga kryeministri Albin Kurti duke thënë se procesi i anëtarësimit në KiE nuk duhet të përzihet me atë të dialogut.