LAJMET E MBRËMJES

Qeveria propozon shtesat e rrezikshmërisë për policët, NJSI-ja e pakënaqur paralajmëron protestë

Sipas propozimit të Qeverisë, lartësia e shtesave do të jetë e ndryshme për 7 kategori, dhe do të sillen nga 45 deri në 150 euro. Por në pakënaqësi me shtesa, Njësia Speciale Intervenuese ka paralajmëruar protestë për 1 nëntor. E kritika për propozimin e Qeverisë kanë ngritur edhe në opozitë

Afro nëntë muaj që prej hyrjes në fuqi të Ligjit për Paga, Qeveria ka dalë të premten me propozim për shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë.

Shtatë kategori të pozitave në këtë institucion pritet që me pagat e nëntorit t’i marrin edhe shtesat, të cilat sillen nga 45 deri në 150 euro dhe që pritet të merren në mënyrë retroaktive edhe për muajt që nga miratimi i Ligjit të pagave.

Sipas propozimit, pjesëtarët e njësive elitare (Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të afërt) do t’i marrin nga 150 euro shtesë në pagën bazë. Nga 120 euro do t’i marrin pjesëtarët e Njësitit Special Operativ, K-9 dhe njësitit për eksplozivët dhe deminim.

Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa ata të hetuesisë nga 75 euro shtesë mbi pagë.

Ekipet reaguese dhe patrullat, që njëherazi përbëjnë edhe numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë për rrezikshmëri. Kurse policëve që angazhohen për sigurimin e objekteve dhe atyre në menaxhim të operacioneve do t’u ndahen nga 50, respektivisht 45 euro shtesë.

“Në të kaluarën, shtesat jo gjithmonë reflektonin nevojën dhe meritën. Ato rëndom kishin shkaktuar pabarazi në mesin e policëve. Ndërkaq, ky propozimi ynë për kategorizim është bërë në mënyrë të kujdesshme që të mos shtresohen dallimet dhe të mos përsëriten defektet e mëhershme. Dallimi në mes të shtesës më të lartë dhe asaj më të ulët është përafërsisht 1 me 3, përkatësisht 3 me 1”, ka thënë kryeministri, Albin Kurti, në konferencën për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë.

I pyetur rreth pakënaqësive për këto shtesa nga policët, Kurti ka thënë se “pare boll kurrë s’ka”, duke u arsyetuar se kaq mjafton buxheti i shtetit për to.

Sindikata e Policisë nuk ka dhënë ndonjë qëndrim, pas publikimit të propozimit. E, Njësia Speciale Intervenuese ka paralajmëruar se më 1 nëntor do të mbajë tubim publik para ndërtesës së Qeverisë, për të shprehur pakënaqësi me pagën, shtesën për rrezikshmëri dhe shtesat e tjera. Ajo po kërkon rritjen e koeficientit të pagës, që rrezikshmëria të jetë e përcaktuar në përqindje e jo në shumë fikse, si dhe Ligj për pensionim të parakohshëm dhe sigurime shëndetësore. Por tubimi i paralajmëruar nuk është konfirmuar zyrtarisht nga policia.

Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë dhe tani deputeti i Partisë Demokratike (PDK), e ka kualifikuar si skandaloz propozimin e Qeverisë për shtesa, teksa ka vlerësuar se ato janë shumë më të vogla sesa në të kaluarën.

“Paramendoni shtesat për rrezikshmëri për Policinë patrulluese nga 140 euro sa i kanë marrë në qeverisjet e kaluara tani 60 euro me propozimin e Qeverisë Kurti, pra 80 euro më pak. Shtesat për rrezikshmëri për policët hetues nga 180 euro sa i kanë marrë në qeverisjet e kaluara, tani 75 euro me propozimin e Qeverisë Kurti, pra 105 euro ma pak”, ka shkruar Qalaj në Facebook.

Sipas tij, 40 euro më pak janë shtesat për rrezikshmëri për policët kufitarë, që në të kaluarën kanë qenë 140 euro. “Shtesat për rrezikshmëri për policët e Njësisë Speciale Operative nga 200 euro sa i kanë marrë në qeverisjet e kaluara, tani 120 euro me propozimin e Qeverisë Kurti, pra 80 euro më pak”, ka thënë Qalaj, teksa ka shtuar se shtesat për policët e Njësisë Speciale Intervenuese janë tani për 65 euro më të ulëta.

Ndaj propozimit të Qeverisë ka reaguar edhe ish-kryeministri e deputeti i Lidhjes Demokratike (LDK), Avdullah Hoti.

“Kjo vonesë dhe ulja e tyre përbëjnë nëpërkëmbje të përkushtimit të të gjithë burrave dhe grave në Policinë e Kosovës, që janë në shërbim të rendit, ligjit dhe sigurisë kombëtare në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hoti në rrjetet sociale.

Para miratimit të Ligjit për paga, shtesat e rrezikshmërisë për policë janë sjellë nga 105 deri në 215 euro, varësisht nga kategoria. Për rritje të koeficientit dhe shtesa të rrezikshmërisë është mbajtur një seancë e jashtëzakonshme në Kuvend, e cila ishte thirrur nga opozita, porse është bojkotuar nga partia në pushtet.