LAJMET E MBRËMJES

Qeveria kritikohet për mungesë vizioni për liberalizim

Mosliberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë temë në Kuvendin e Kosovës në seancën e radhës. Debatin parlamentar për këtë çështje e ka iniciuar Grupi Parlamentar i AAK-së. Deputeti Besnik Tahiri ka kritikuar pushtetin për mungesë vizioni e përkushtimi për të adresuar agjendën evropiane të shtetit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të enjten e javës që vjen do të mblidhen për vazhdimin e seancës së datës 14 korrik dhe mbajtjen e një seance të re.

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e mbajtur të premten ka vendosur për pikat të cilat do të trajtohen në këto mbledhje plenare.

Për pikat e rendit të ditës në seancat e caktuara, pas mbledhjes së Kryesisë ka folur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

“Dita e enjte më datën 21 korrik të jetë ditë në të cilën mbahet vazhdimi i seancës me pikat e patrajtuara nga seanca e ditës së djeshme dhe gjithashtu hapet edhe një seancë e re. Seanca e parë fillon prej orës 10:00, seanca tjetër menjëherë pas me trajtimin e disa pikave... Do të mbahet debati parlamentar në lidhje me mosliberalizimin e vizave nga BE për Kosovën, si dhe gjithashtu pikë e rendit të ditës do të jetë mocioni përmbajtjesor i propozuar nga LVV për adresimin e rezolutës, e cila do të merret me masat që do t’i ndërmarrë Qeveria për ballafaqimin me rritjen e çmimeve”, ka thënë Kusari-Lila.

Qeveria është kritikuar nga iniciuesit e debatit për liberalizimin. Shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se në Kuvend do të paraqesin një rezolutë nëpërmjet së cilës do të kërkojnë që të adresohet kjo çështje në instancat më të larta.

“Ajo çka shohim nga kjo qeveri është një mungesë serioze e vizionit dhe përkushtimin për të adresuar agjendën evropiane dhe në këtë rast edhe për të ngritur një çështje në instancën më të lartë, pse të mos ketë një rezolutë Kuvendi i Kosovës për liberalizim kur ka rezolutë të Parlamentit Evropian që mbështet të drejtën tonë për liberalizim”, ka thënë Tahiri.

Tahiri gjithashtu ka thënë se ekonomia e vendit është para kolapsit, ndërsa veprimet e Qeverisë sa i përket krizës së çmimeve ai i ka quajtur inekzistente.

Në mbledhjen e Kryesisë është arritur edhe një dakordim në parim i grupeve parlamentare për mbështetje të mocionit procedural për shqyrtimin e Projektligjit për marrëveshjen e bashkëpunimin për studimin e fizibilitetit të projekt-idesë për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë.