Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion”, organizatat joqeveritare IKD, FOL dhe INPO, të martën kanë mbajtur tryezën “Reforma në Drejtësi”, në të cilën ishin të ftuar edhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, por që nuk morën pjesë. Shoqëria civile ka kritikuar ekzekutivin për mospërmbushje të premtimeve në sistemin e drejtësisë
Shoqëria civile ka kritikuar Qeverinë për mospërmbushje të premtimeve dhe lënien e reformës së drejtësisë në udhëkryq.
Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion”, organizatat joqeveritare IKD, FOL dhe INPO, të martën kanë mbajtur tryezën “Reforma në Drejtësi”, në të cilën ishin të ftuar edhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, por që nuk morën pjesë.
Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se edhe pas tre vjetëve të qeverisjes Kurti nuk janë ndërmarrë veprime për jetësimin e premtimeve në sistemin e drejtësisë.
“Kemi pasur dështime të projektligjeve të cilat janë miratuar në Kuvend dhe kanë shkuar në Gjykatë Kushtetuese e që sot reformën e kanë lënë në një udhëkryq ku drejtësia vazhdon që të përballet me shumë kritika dhe që ka nevojë që t’i jepet një rrugëzgjidhje, por që kjo rrugëzgjidhje ende nuk po dihet se cila do të jetë”, ka thënë Musliu.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e lëvizjes “FOL”, u shpreh se përfaqësues të Qeverisë po ikin nga ballafaqimi për shkak të, siç tha, dështimit të nismave legjislative gjatë këtyre tre vjetëve.
“Vettingu definitivisht është një prej premtimeve kryesore që kjo qeveri e ka premtuar dhe që definitivisht mund të themi që është një dështim, duke qenë se është viti i tretë dhe nuk e dimë se çfarë do të ndodhë tutje. Madje, e kemi parë që nuk është pjesë as e planit vjetor të punës së kësaj qeverie”, ka theksuar Demolli – Nimani.
Hulumtues të Institutit të Kosovës për Drejtësi kanë vlerësuar se Qeveria ka dështuar edhe në reformën e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
“I takon Qeverisë, i takon Kuvendit që reformën ta bëjë në përputhje me Kushtetutën dhe që ligjet e saj të mos të dështojnë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe kjo është detyra e Qeverisë dhe e Kuvendit. Dhe jo, akuzimi i Gjykatës Kushtetuese dhe mbajtja e konferencave që i akuzojnë gjyqtarët për vendimmarrjen e tyre”, ka deklaruar hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala.
Koalicioni i organizatave joqeveritare po ashtu ka simuluar një seancë parlamentare, ku “është votuar” Rezoluta kundër korrupsionit.
Në “sallën parlamentare” në vend të deputetëve morën pjesë studentë të Fakultetit Juridik dhe të Qendrës për Edukim Profesional në kuadër të IKD-së të ndarë në katër grupe parlamentare.
Jona Lea Zeqiraj, shefe e Grupit Parlamentar të Unitetit për Demokraci dhe Sundim të Ligjit, ka prezantuar Rezolutën për luftimin e korrupsionit para deputetëve.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës do të angazhohet maksimalisht në luftimin e korrupsionit në vend, duke filluar nga adresimi i vlerësimit të hapësirave për korrupsion gjatë hartimit dhe miratimit të ligjeve, apo siç njihet “corruption proofing” i ligjeve. Kuvendi i Republikës së Kosovës do të përmbushë agjendën e vet në drejtim të fuqizimit të agjencive shtetërore ligjzbatuese, me fokus në ato që luftojnë korrupsionin”, është shprehur Lea Zeqiraj.
Studentët miratuan Rezolutën me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.