LAJMET E MBRËMJES

Qeveria e Serbisë me dy të sanksionuar nga SHBA-ja

Mandatari për formimin e Qeverisë së Serbisë, Milosh Vuçeviq, ka publikuar listën e njerëzve që synon t’i ketë në kabinetin qeveritar, dy nga të cilët janë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është përcaktuar që Aleksandar Vulinin ta bëjë zëvendëskryeministër e Nenad Popoviqin ministër pa portofol

Aleksandar Vulin e Nenad Popoviq, që të dy të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet të marrin poste të larta shtetërore në Serbi.

Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Serbisë, Milosh Vuçeviq, e ka propozuar të martën Vulinin zëvendëskryeministër, ndërsa Popoviqin ministër pa portofol.

Vulini është sanksionuar nga SHBA-ja vitin e shkuar për përfshirje në marrëveshje korruptuese që shtynin përpara agjendat politike në kurriz të paqes e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe që lehtësonin aktivitete të Rusisë në Serbi dhe rajon. Në kohën kur u sanksionua ishte në krye të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë. Ndërkaq është konfirmuar se në sulmin terrorist në Banjskë ka marrë pjesë edhe një truprojë e tij.

Po ashtu ai njihet për marrëdhëniet e tij të afërta me Rusinë. Së fundi drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë, gjenerali Aleksandër Bortnikov, ia dha një çmim të lartë. Vulin u dekorua me "urdhrin për profesionalizëm të jashtëzakonshëm dhe kontribut në bashkëpunimin ndërmjet shërbimeve serbe dhe ruse".

Edhe Popoviqi është sanksionuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për çështje që lidhen me ndikimin e Rusisë në rajon dhe me korrupsionin e mundësuar prej tij.

Profesori i shkencave politike, Philip Eidus, ka thënë për gazetën e pavarur “Danas” se emërimi sidomos i Vulinit në këtë detyrë është shfaqje e inatit vetëshkatërrues të Serbisë.

“Emërimi i një njeriu që është nën sanksione të SHBA-së për shkak të korrupsionit të dyshuar, përfshirjes në trafikun e drogës dhe lidhjeve me Rusinë si zëvendëspresident i një qeverie që supozohet se aspiron anëtarësimin në BE, është një demonstrim i neverisë infantile dhe vetëshkatërruese që nuk do të çojë në të mirë për qytetarët e këtij vendi. Është njësoj sikur miqtë të këshillojnë të mendosh para se të bësh tatuazh  në shpatullën tënde dhe ti për inat të tatuazhosh veten në mes të ballit”, ka thënë ai.

Për propozimin e Vulinit ka raportuar edhe agjencia e lajmeve AP.
“Serbia po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ka ruajtur marrëdhënie miqësore me Rusinë dhe ka refuzuar t'u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për luftën në Ukrainë. Përfshirja e Vulinit në qeverinë e re sugjeron vazhdimin e lidhjeve të ngushta me Rusinë pavarësisht rrugës së shpallur pro-BE nga Serbia”, ka shkruar AP-ja të martën.

Kabineti qeveritar që do të udhëhiqet nga ish-ministri i Mbrojtjes, Vuçeviq, do të përbëhet nga 25 ministra dhe pesë ministra pa portofol.

Shefi aktual i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa ministër i Mbrojtjes do të jetë Bratislav Gashiq, deri më tash ministër i Policisë.

Marko Gjuriq, ish-ambasador i Serbisë në SHBA dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi, do t’i bashkohet Qeverisë si ministër i Punëve të Jashtme. Ai së fundi është fotografuar në një restorant me Milan Radoiçiqin, po ashtu në listën e zezë të SHBA-së dhe që mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, kryetare e partisë së djathtë, Zavetnici, do ta drejtojë Ministrinë për Përkujdesje Familjare.

Kjo parti deri më tani ka vepruar në opozitë, por pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit ka nisur bashkëpunim me Partinë Përparimtare Serbe, që ka pushtetin.

Si partnere e saj në koalicion do të marrë pjesë edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale në Serbi, që do të mbahen më 2 qershor.

Ministrat e rinj të Qeverisë serbe përfshijnë edhe ish-sekretarin shtetëror të Ministrisë së Mbrojtjes, Nemanja Staroviq, si ministër i Punës, Darko Gllishiqin si ministër për Investime Publike dhe Dejan Ristiqin si ministër për Informim.

Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë do të rikthehet Zllatibor Llonçar, i cili nuk e ka mbajtur këtë post në përbërjen e kaluar, ndërsa Ministrinë e Kulturës do ta marrë Nikolla Selakoviq.
Ministri i deritashëm i Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Aleksandar Martinoviq, do ta drejtojë Ministrinë e Bujqësisë.

Ministre e re e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale do të jetë Jellena Zhariq Kovaçeviq, ndërsa Adrijana Mesaroviq do të jetë ministre e Ekonomisë.

Sinisha Malli mbetet në krye të Ministrisë së Financave, ashtu si edhe Irena Vujoviq në postin e ministres së Ekologjisë dhe Dubravka Gjedoviq Handanoviq si ministre e Minierave dhe Energjetikës.
Ministre e Drejtësisë mbetet Maja Popoviq dhe ministër i Ndërtimit mbetet Goran Vesiq. Tomisllav Momiroviq, po ashtu, ruan portofolin e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme.

Ministre për Integrime Evropiane mbetet Tanja Mishçeviq, ndërsa Sllavica Gjukiq Dejanoviq do të jetë sërish ministre e Arsimit.

Jellena Begoviq do të jetë ministre e Shkencës edhe në këtë përbërje, ndërsa Millan Kërkobabiq do të vazhdojë ta udhëheqë Ministrinë për Përkujdesje ndaj Fshatrave.

Udhëheqës i Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve edhe në këtë mandat do të jetë Tomisllav Zhigmanov, ndërsa ministër i Sportit sërish Zoran Gajiq.

Husein Memiq ndërkaq mbetet në krye të Ministrisë së Turizmit dhe Rinisë.

Përveç Nenad Popoviqit, Qeveria e re serbe do t’i ketë edhe katër ministra të tjerë pa portofol. Ata janë: Novica Tonçev, Gjorgje Milliçeviq, Usame Zukorlliq dhe Tatjana Macura.

Tonçev dhe Milliçeviq, zyrtarë të Partisë Socialiste të Serbisë, ishin ministra pa portofol edhe në përbërjen e fundit të Qeverisë.

Ish-ministrja e Kulturës, Maja Gojkoviq, u propozua për kryetare të Qeverisë Krahinore të Vojvodinës.
I mandatuari për kryeministër, Milosh Vuçeviq, pritet të kërkojë mbajtjen e një seance të mërkurën (1 maj), në të cilën do të paraqesë planin e punës dhe propozimin për përbërjen e Qeverisë së Serbisë.
Qeveria e re e shtetit që e konsideron Kosovën pjesë të veten merr detyrën pas zgjedhjeve të dhjetorit, e të cilat me shumicë votash i fitoi Partia Përparimtare Serbe e presidentit Aleksandar Vuçiq.

Procesi zgjedhor u shoqërua nga parregullsi të shumta e të cilat u evidentuan edhe nga misionet ndërkombëtare e vendore.