LAJMET E MBRËMJES

Qeveria në diskutime se si ta mbikëqyrë Specialen

Dy ditë pas miratimit në Kuvendin e Shqipërisë, Qeveria e Kosovës ka mirëpritur Rezolutën lidhur me raportin e Dick Martyt, që ishte pikënisje e formimit të Gjykatës Speciale. E njohës të çështjeve juridike e kanë vlerësuar se ndikimi i rezolutave të tilla nuk përbënë pasojë për Gjykatën

Rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë lidhur me raportin e Dick Martyt nuk është parë nga këndvështrime të njëjta prej institucioneve në Kosovë. Derisa një ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se për këtë Rezolutë nuk mund të pritet përshëndetje e veçantë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të shtunën deklaroi se mirëpresin diskutime të tilla.

Në konferencën për media pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, të premten Osmani ka thënë se me Rezolutën e miratuar, legjislativi ka shprehur atë që është thënë deri më sot: se lufta e UÇK-së nuk mund të zhbëhet nga askush.

“Konfirmimin tonë sa i përket pastërtisë të luftës sonë çlirimtare e keni dëgjuar çdo ditë dhe nuk mund të prisni përshëndetje speciale për një ditë të veçantë sepse qëndrimi ynë për pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës është i përditshëm, është në çdo veprim tonin, është në çdo punë tonën”, ka thënë presidentja. Miratimi i kësaj Rezolute, sipas presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, “është shumë e rëndësishme dhe shumë pozitive”.

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Qeveria “mirëpret çfarëdo diskutimi në raport me këtë”. “Natyrisht që për ne është e rëndësishme që të drejtat e qytetarëve tanë që mbahen atje të respektohen”, ka thënë ajo.

Por, Haxhiu nuk ka pohuar e as mohuar nëse ka dallim qëndrimesh mes institucioneve lidhur me këto çështje.

“Ju lë juve që të gjeni dallimet nëse ka të tilla. Besoj që secili prej institucioneve të Republikës së Kosovës i di përgjegjësitë dhe kompetencat”, ka thënë ajo.

Ministrja e Drejtësisë ka thënë se është ende herët të flitet për ndikimin që kjo Rezolutë mund të ketë, derisa ka shtuar se janë duke diskutuar për të gjetur një zgjidhje se si puna e Gjykatës mund të mbikëqyret. Çështja e mbikëqyrjes së Gjykatës është përmendur pas shqetësimeve të ngritur nga krerë institucionesh në Kosovës lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut të të akuzuarve.

“Ju garantoj që jemi në diskutime me institucionet në Republikën e Kosovës për ta adresuar këtë çështje. Sepse është e paprecedentë që një institucion, siç është Gjykata Speciale, nuk ka asnjë mekanizëm që e mbikëqyr punën”, ka thënë Haxhiu.

Dy ditë më parë, ligjvënësit në Shqipëri miratuan një rezolutë nëpërmjet së cilës kërkuan nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të rishikojë Rezolutën që aprovon raportin e senatorit zviceran, Dick Marty, që ishte shkaku i formimit të Speciales. Por, njohës të çështjeve juridike kanë thënë se kjo Rezolutë nuk prodhon ndonjë efekt për funksionimin e Speciales.

Medina Kadiu, hulumtuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë kundër raportit të Martyt mund të ndikojë vetëm në aspektin e besueshmërisë së tij.

“E njëjta në aspektin politik dhe diplomatik mund të ndikojë në kontestimin e besueshmërisë së raportit të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme, por në aspekti në juridik nuk prodhon asnjë pasojë. Kjo Rezolutë absolutisht nuk ka asnjë ndikim sa u përket punës së Zyrës së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe proceseve gjyqësore që po zhvillohen atje”, ka thënë ajo për “Kosovapressin”.

Kurse, drejtori i Organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj, ka thënë se zhbërja e Gjykatës Speciale, ndonëse nuk është zgjidhje, mund të bëhet vetëm nga Kuvendi i Kosovës.

“Krejt ndikimi i kësaj Rezolute apo rezolutës së mundshme që mund të votohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është vetëm të rregullojë imazhin e Kosovës, Shqipërisë apo shqiptarëve në përgjithësi përmes pretendimeve monstruoze të raportit të Dick Martyt. Përndryshe, në aspektin e funksionimet të gjykatës apo aktakuzave, absolutisht nuk ka asnjë ndërlidhje dhe nuk mundet në asnjë mënyrë të ndikojë”, ka thënë Demhasaj për “Kosovapressin”.

Seanca e Kuvendit të Shqipërisë, ku u miratua Rezoluta lidhur me raportin e Dick Martyt, u shoqërua me debate dhe akuza ndërmjet pushtetit dhe opozitës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka fajësuar Partinë Demokratike, e cila, sipas tij, gjatë udhëheqjes nga ish-kryeministri Sali Berisha ka votuar pro këtij raporti në Këshillin e Evropës. Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, mes tjerash, kërkon nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të rishikojë Rezolutën që aprovon raportin e senatorit zviceran, Dick Marty, dhe akuzat e ngritura, të cilat i vlerëson si “të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte”.

Në Hagë për krime lufte aktualisht janë duke u gjykuar ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Salih Mustafa, Rexhep Selimi e Pjetër Shala.

Mbi ish-presidentin Thaçi, si dhe ish-pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë, rëndon akuza në të cilën thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës, të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit, të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”. Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, të cilët gjenden në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, janë deklaruar të pafajshëm që në seancat e para. Për pengim të drejtësisë e frikësim të dëshmitarëve, me nga 4 vjet e gjysmë burg janë dënuar krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

© KOHA Ditore

Folegjenda: “Ju garantoj që jemi në diskutime me institucionet në Republikën e Kosovës për ta adresuar këtë çështje. Sepse është e paprecedentë që një institucion, siç është Gjykata Speciale, nuk ka asnjë mekanizëm që e mbikëqyr punën”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të shtunën në konferencë për media