Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thirrur mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ku është diskutuar për ndikimin e Serbisë. Pas mbledhjes Qeveria ka lëshuar një komunikatë ku është thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po bën përpjekje që ta përcjellë krizën nga vendi i tij në Kosovë. Në këtë komunikatë është theksuar po ashtu se ka deputetë të komuniteteve joshumicë që po joshen, kërcënohen apo shantazhohen nga Milan Radoiçiqi
Qeveria e Kosovës ka kritikuar Serbinë dhe presidentin e saj Aleksandar Vuçiq se pengojnë konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Të dielën, me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Këshilli i Sigurisë i Kosovës ka mbajtur mbledhje, e pas saj Qeveria përmes një komunikate ka akuzuar Vuçiqin se po përpiqet që krizën e brendshme politike ta kthejë në krizë politike e të sigurisë në Kosovë e rajon.
“Njëkohësisht ndaj serbëve të Kosovës, Serbia po ushtron trysni të paparë për pjesëmarrje në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, e që është paralajmëruar për javën që vjen. Regjimi i Vuçiqit po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm, teksa vetë ai ndodhet në krizën më të madhe ndonjëherë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Në komunikatë po ashtu thuhet se pak para seancës konstituive të Kuvendit, Serbia po ndërhyn te disa deputetë të komuniteteve joshumicë, duke i joshur e shantazhuar, si dhe duke synuar të nxisë tensione ndëretnike.
Javë e kaluar lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka paralajmëruar se synon që në seancën konstituive të 15 prillit të votohet edhe qeveria Kurti 3.
“Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxisë tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën. Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë”, thuhet në komunikatë.
Nga mbledhja e së dielës ku, sipas Qeverisë, janë diskutuar planet destabilizuese të Serbisë, është përmendur edhe rasti i arrestimit të katër serbëve në Komunën e Gjakovës për armëmbajtje pa leje, të shtunën mbrëma.
Sipas Qeverisë, dy prej tyre kanë mbajtur pozita në strukturat e sigurisë së Serbisë.
“Më 1 prill pas mesnate u sulmua me dy granata dore zyra e Postës së Kosovës në Zveçan, nga të cilat njëra shpërtheu. Zyra e Postës në Zveçan është riparuar plotësisht dhe tani vijon normalisht dhënia e shërbimeve publike atje. Kur kësaj ia shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë, dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë”, thuhet në komunikatë.
Në Gjakovë, në bazë të raportit të policë, të shtunën janë arrestuar katër persona.
Ata po lëviznin me një veturë me targa të Serbisë dhe sipas Policisë, gjatë kontrollit janë sekuestruar dy thika e një sëpatë. Të katërtit janë dërguar në mbajtje.