LAJMET E MBRËMJES

Qeveria akuzohet se po i lufton sindikatat

Në ditën kur kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për rritje pagash në sektorin publik, Qeveria që ai drejton është akuzuar se po i lufton sindikatat. Gjatë publikimit të një raporti nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, përfaqësues sindikatash theksuan se pushteti ka ndërprerë dialogun social

Kritika për qasjen e Qeverisë ndaj sindikatave janë shprehur të martën, gjatë publikimit të raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi e që ka të bëjë me mungesën e kontratave kolektive.

Hulumtuesi i lartë në këtë institut, Naim Jakaj, ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje premtoi fuqizimin e sindikatave, porse pas marrjes së pushtetit i luftoi ato duke i nënçmuar dhe injoruar.

Si problem ai ngriti edhe mosaprovimin e ligjeve, të cilat do të përmirësonin pozitën e punëtorëve në Kosovë.

“Në këtë legjislaturë mbi 90% e projektligjeve që lidhen me mbrojtjen sociale të punëtorëve nuk janë miratuar, përkundër faktit që janë planifikuar për secilin vit. Projektligji i Punës tashmë është tërhequr nga programi legjislativ nga Qeveria e Kosovës, projektligji për Inspektoratin e Punës, projektligji për Sigurinë dhe Shëndetin e Punës, përkundër që direktiva të Bashkimit Evropian dhe opinione e rekomandime të Organizatës Ndërkombëtare të Punës kanë evoluar në të drejtën e punës dhe të cilat opinione janë reflektuar edhe në legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Bashkimit Evropian, një gjë e tillë nuk ngjet në Kosovë”, ka thënë Jakaj.

E, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, (SBASHK), Rrahman Jasharaj, kritikat kryesore i drejtoi te ministri i Financave, Hekuran Murati, për të cilin tha se e ka ëndërr të shkatërrojë sindikatën që e drejton.

“Hekuran Murati, me veprimet e tij, me barrikadimet e bëra, me ngërçin e krijuar në mënyrë artificiale me Këshillin Ekonomik Social, duke e bllokuar në tërësi funksionimin e tij, ka dëshmuar se është kundër dialogut, ka dëshmuar se është kundër sindikatave”, ka thënë Jasharaj.

Ndërkaq kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ka deklaruar se presioni më i madh sindikal është duke u bërë me komunikata. 

“Ne si Bashkim i Sindikatave të Pavarura të Kosovës shumicën e mjeteve që i kemi përdorur, domethënë në formë sindikale, është edhe forma e komunikatave që brenda një kohe shumë të shkurtër i kemi bërë diku pesëdhjetë komunikata, veç njëfarë forme, domethënë që t’i bëjmë presion Qeverisë që të kemi dialog social edhe të kemi konstituim të Këshillit Ekonomiko-Social”, ka thënë Hykolli. 

Që nga viti 2022 mësimdhënësit janë pa kontratë kolektive. E, Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka kërkuar nga Ministria e Arsimit të përpilojë një kontratë të re kolektive.