LAJMET E MBRËMJES

PZAP-ja e hedh poshtë ankesën e LVV-së kundër certifikimit të Listës Serbe

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka hedhur poshtë ankesën e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kundër certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur ditë më parë një kërkesë të dytë në PZAP për ta shfuqizuar vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për certifikimin e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Në vendimin e së enjtes, ankesa është kualifikuar e palejueshme pasi nuk i përmbush kërkesat ligjore.

“HIDHET poshtë e palejuar ankesa Anr. 16/2025 e datës 08.01.2025, e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, paraqitur kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, me të cilën ka kërkuar që të anulohet Vendimi i KQZ-së Nr. 01/2328-2024, i datës 31.12.2024, dhe të urdhërohet KQZ, të nxjerrë vendim”, është thënë në vendimin e Panelit.

Sipas PZAP-së, vetëm përfaqësuesit e LVV-së në KQZ mund të bëjnë ankesa të tilla. 

Kërkesa e LVV-së është paraqitur pasi PZAP-ja e ka urdhëruar KQZ-në gjatë fundit të dhjetorit që ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje, pasi e ka pranuar ankesën e partisë serbe ndaj vendimit fillestar të Komisionit për moscertifikimin e saj, duke pretenduar se ky subjekt ka dorëzuar dokumentacion në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.

LVV-ja e ka humbur betejën ndaj këtij vendimi edhe në Gjykatën Supreme, e cila më 31 dhjetor e ka cilësuar ankesën e saj si të palejuar. E në PZAP kanë thënë se meqë Gjykata Supreme e ka vërtetuar vendimin e saj më 31 dhjetor, vendimi i saj “duhet të zbatohet dhe për këtë nuk ka nevojë për votim”.
Një ditë më parë, KQZ-ja e ka miratuar përmbajtjen e fletëvotimit për zgjedhjet e 9 shkurtit, me Listën Serbe pjesë të saj. Përfaqësuesit e partisë në pushtet e kanë arsyetuar kundërshtimin e certifikimit të Listës Serbe, duke thënë se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon që ta quajë atë provincë autonome të Serbisë. Ndër arsyet e kundërshtimit të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje nga LVV-ja është edhe fakti se kjo parti nuk është distancuar nga ish-nënkryetari i saj, Milan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, ku është vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.

Para certifikimit të Listës Serbe më 31 dhjetor, në Bashkimin Evropian (BE) kanë deklaruar se është e nevojshme që të sigurohet pjesëmarrja e lirë e të gjithë kandidatëve dhe partive politike të kualifikuara.

Lista Serbe është themeluar në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe që atëherë ka pasur mbështetje për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës. Deri më tani, në të gjitha proceset zgjedhore në të cilat ka marrë pjesë, kjo parti ka fituar mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb, por Misioni Vëzhgues i BE-së, në raportin e tij të 2021-tës, ka konstatuar se Lista Serbe ka “monopolizuar jetën politike ndërmjet serbëve të Kosovës” dhe janë shënuar raste të frikësimit dhe të presionit ndaj votuesve nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie.