Pa praninë e deputetëve të partisë kryesore në pushtet, ligjvënës opozitarë debatuan për përgjimet e bisedës mes shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila e të akuzuarit për terrorizëm, Milan Radojçiq. Në seancën e jashtëzakonshme, shkaku i mungesës së kuorumit nuk doli në votim rezoluta e propozuar nga opozita për t’i kërkuar Prokurorisë hetimin e Kusari-Lilës, e LVV-së shkarkimin e saj nga funksioni i si drejtuese e grupit parlamentar të partisë. Ata bënë akuzë se koordinimi me Radojçiqin është bërë me urdhër të kryeministrit, Albin Kurti
61 ligjvënës të pushtetit, të premten i ikën ballafaqimit me rreth 50 deputetë të opozitës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.
Mbledhja që u thirr nga opozita për debat mbi përgjimet e bisedës mes deputetes së LVV-së, Mimoza Kusari-Lila e të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë, Millan Radojçiq, u mbajt pa praninë e mazhorancës.
Mes deputetëve që u paraqitën në sallë qe edhe Drita Millaku, që e braktisi Vetëvendosjen për t’iu bashkua LDK-së.
Në debat, opozita synoi të nxirrte një projekt-rezolutë, me të cilën Prokurorit të Shtetit do t’i kërkonte që ta hetojë Kusari-Lilën, si dhe që ajo të shkarkohet nga funksioni i kryetares së grupit parlamentar të LVV-së.
Propozuesi i saj, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, theksoi se komunikimi me Radojçiqin e cenoi sigurinë kombëtare, pasi prapa tij qëndrojnë shërbimet sekrete të Serbisë.
“Radojçiqi nuk është thjeshtë një kriminel ordiner, është një person që e ka mbështetjen e madhe të Aleksandër Vuçiqit. Kemi mbërritur me një pikë ku BIA serbe, shërbimet serbe, përmes Radojçiqit me ndikim te Lëvizja Vetëvendosje na e kanë përcaktuar vendimmarrjen në Kuvend”, tha Tahiri.
Deputetët ngrenë edhe akuza se komunikimi i Kusari-Lilës me Radojçiqin është bërë me urdhër të kryeministrit, Albin Kurti.
“Fajtor është kryeministri juaj, Albin Kurti. Nuk e di si ju ka detyruar të bëni marrëveshje të fshehtë me krijesën e inteligjencës se Serbisë”, u shpreh deputeti i LDK-së, Anton Quni.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e krahasoi kohën kur ai, si kryeministër, më 2018 e takoi Radojçiqin në zyrën e tij, me komunikimin aktual me të.
“Nëse më 2018 paska qenë gabim të takohet Radojçiq, i pa ndjekur nga drejtësia e i pa përfshirë në listë të zezë të SHBA, çka është komunikimi me të pas aktakuzës”, tha kryetari i AAK-së.
Në përgjime, Radojçiqi dëgjohet tek përmend kërkesa në këmbim të votave, e për të cilat opozita kërkoi sqarime.
“Duhet të shihet cilat kanë qenë kërkesat e Radojçiqit për shefin e Mimoza Kusarit, Albin Kurtin”, tha deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Në seancën, që u drejtua nga nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, deputetët nuk patën konsideratë për gjuhën parlamentare.
“Kolegë të LVV-së ku jeni fshehur, dilni prej birruceve”, u shpreh deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.
“Albin Kurti është llaskuc politik”, tha deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
“Siç thotë populli, jeni zënë me pelë për dore”, shtoi Armend Zemaj i LDK-së.
“Ai është njëfarë karaxhozi”, tha Bekë Berisha i AAK-së.
“Kur e sheh atë trenin e shpejtë t’u kalu, edhe i thu Mimozës qy treni i shpejtë po kalon, ajo thotë jo more është një avokat t’u fluturu”, deklaroi Ardian Kastrati i PDK-së.
Për çështjen u deklaruan 22 deputetë opozitarë, nga 42 sa thirrën seancë. E rezoluta nuk u hodh në votim, shkaku i mungesës së kuorumit.