LAJMET E MBRËMJES

Pushteti bojkoton edhe seancën e tretë të jashtëzakonshme të opozitës

Edhe seanca e tretë e jashtëzakonshme e opozitës është mbajtur pa praninë e deputetëve të pushtetit dhe të kabinetit qeveritar. Opozitarët akuzuan Qeverinë se ka krijuar skema korruptive me faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit. U cilësua i rrezikshëm për vendimmarrjen e shtetit edhe komunikimi që rrodhi në media mes koordinatores së Vetëvendosjes Dejona Mihali e ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

61 deputetë të pushtetit nuk e panë të rëndësishme të diskutojnë lidhur me keqpërdorimet milionëshe në Ministri të Mjedisit, për të cilën çështje një javë më parë u arrestuan dy zyrtarë të shtetit. Seanca e sotme e thirrur nga opozita për debat të jashtëzakonshëm, është e treta brenda një jave të cilën po e bojkoton mazhoranca. 

Pos diskutimeve për procesin e shlyerjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit nga Ministria e Mjedisit, mbledhja e deputetëve iu kushtua edhe disa bisedave që rrodhën në publik mes koordinatores së Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje Dejona Mihali dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i akuzuar për korrupsion. 

Nga këto biseda shihet se Mihali i jep direktiva Krasniqit se si ta kryejë punën e tij.  E kur e fton në takime në selinë e Vetëvendosjes, e udhëzon që të maskohet me kapele. Ky lloj i kapelave iu vesh mikrofonave të secilit deputet të pushtetit. Një të tillë e vendosën edhe në tavolinën e kryeministrit Albin Kurti.

Opozita tha se vendimmarrja në shtetin e Kosovës përcaktohet nga strukturat kriminale parapolitike.
“Mesazhet e Dejona Mihalit e nxjerrin në pah më së miri kriminalitetin e vendit tonë”, u shpreh shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri.

Të njëjtin shqetësim e ndau edhe kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Është e papranueshme që parapolitika të ketë në dorë secilën ministri e ndërmarrje publike”, tha ai.
Akuza ndaj pushtetit pati edhe për shlyerjen e borxheve të ambalazhuesve të ujit. Në LDK e quajtën aferë korruptive të strukturuar nga kryeministri Kurti.

“Këta njerëz janë shkurt e shqip struktura kriminale. Si ka mundësi Naser Hafizi me pagë pak mbi 700 euro të blejë katër banesa brenda nje viti e të ketë qarkullim mbi 400 mijë euro”, u shpreh deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, shprehu shqetësim për mungesën e mazhorancës dhe e të Qeverisë për t’i sqaruar çështjet që shtruan.

“Ne duhet të dimë mënyrën e kalkulimit dhe shumat financiare të cilat operatorët i kanë realizuar, mënyrën e negocimit dhe ndryshimit të shumave nga miliona euro në dhjetëra mijëra euro. Ne duhet të dimë shlyerjen e borxheve nga kompani të caktuara”, ka thënë ai.

Seanca që pati në rend dite një rezolutë, u ndërpre në gjysme meqë opozita doli që të shprehë një pakënaqësi tjetër në Radiotelevizionin e Kosovës.