Në ditën e fundit të dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, Shukri Buja ka thënë se komunikimet mes shefit të sektorit zbulim-kundërzbulim në zonën e tij, Elmi Reçica, dhe Kadri Veselit ishin të pamundura. Pas dëshmisë ai ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se hetimet e Speciales ndaj tij kanë përfunduar
Shukri Buja, ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes, ka njoftuar se hetimet që Prokuroria Speciale i ka nisur ndaj tij më 2019 kanë përfunduar.
Ai ka thënë se pushimi i hetimit ndaj tij është bërë pas një procesi hetimor të gjatë me vite.
“Kjo është një fitore e madhe dhe e rëndësishme, e cila vërteton pafajësinë time, por edhe pastërtinë dhe lavdinë e UÇK-së. Falë avokatëve të mi, Sir Geoffrey Nice dhe Taulant Hodaj, dhe insistimit të tyre për të mbyllur hetimet për mungesë provash, këtë javë mora konfirmimin zyrtar që gjithçka është mbyllur përfundimisht”, ka shkruar ai në Facebook.
Të enjten, në ditën e fundit të dëshmisë në Hagë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, në fillim të seancës i tha Bujës se marrëveshja e arritur të hënën vlen edhe këtë ditë, pa treguar se çka nënkuptonte ajo.
E Buja është shprehur i lumtur me këtë vendim, pasi dëshmon pastërtinë e luftës së UÇK-së.
“Besoj se ky rast imi do të kontribuojë që drejtësia ta thotë fjalën e fundit për bashkëluftëtarët tanë që ende gjenden në Hagë dhe shpresoj që edhe ata të kthehen faqebardhë dhe fitimtarë sa më shpejt. Lufta jonë si popull ka qenë një përpjekje e drejtë dhe legjitime për liri kundër okupatorit serbo-jugosllav, i cili ka kryer krime të rënda ndaj popullit tonë. Lufta jonë çlirimtare ishte e imponueshme dhe e drejtë”, ka shtuar Buja.
Buja të enjten ka përmbyllur dëshminë e tij në Hagë.
Gjatë dëshmisë ka thënë se Elmi Reçica nuk kishte mundësi të komunikonte me Kadri Veselin gjatë luftës.
Në ditën e fundit të dëshmisë së tij, Buja u pyet lidhur me komunikimet e sektorit zbulim-kundërzbulim, në zonën e Nerodimes, që ai e udhëhiqte, me Shtabin e Përgjithshëm, në veçanti me Kadri Veselin, i cili është njëri nga katër të akuzuarit në këtë proces gjyqësor bashkë me Hashim Thaçin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Buja tha se komanda e zonës funksiononte në bazë të një skeme të ofruar nga Shtabi i Përgjithshëm.
“Ne kemi marrë vetëm skemën nga Shtabi i Përgjithshëm se si do të duket komanda e zonës dhe në atë skemë ka qenë edhe sektori G2, zbulim-kundërzbulim dhe unë e kam emëruar Elmi Reçicën”, ka thënë Buja.
Dëshmitari Buja shprehu bindjen që Reçica, atëkohë shef i sektorit zbulim-kundërzbulim në zonën e Nerodimes, nuk i pati as kushtet teknike e as kompetencën që të raportojë drejtpërdrejt në Shtabin e Përgjithshëm apo te shefi i Zbulim-Kundërzbulimit në kuadër të Shtabit, që ishte Veseli.
“Edhe mjetet e komunikimit që kemi pasur kanë qenë në komandën e Zonës Operative, tek unë, dhe kontaktet me zotëri Veselin në atë kohë kanë qenë të pamundura nga shefi i Zbulim-Kundërzbulimit. Zotëri Reçica ka pasur zyrën tek komanda e Zonës dhe kjo më bën të besoj se s’ka mundur t’i raportoja dikujt tjetër dhe në bazë të detyrave që ka pasur ka mundur t’i raportonte shefit të Shtabit të zonës dhe komandantit të zonës”, ka deklaruar ai.
Buja paraprakisht ka deklaruar se me Thaçin dhe bashkëluftëtarë të tjerë udhëtuan nga Zvicra për në Kosovë në mars të vitit 1998. Për këtë është pyetur të enjten, por tha se nuk u interesua shumë për pozitën që mbante Thaçi.
“Këto çështje në vitet e mëhershme, kur jam burgosur, pyetjet e shumta dhe informacionet e shumta kanë qenë të rrezikshme, sepse ne gjithmonë kemi llogaritur që mund të zihemi robër nga forcat serbe, mund të arrestoheshim dhe gjithmonë jam ruajtur që të mos dija shumë për formacionet”, ka theksuar ai.
Buja të enjten përmbylli dëshminë e tij, që zgjati 4 ditë. Seancat në rastin “Thaçi dhe të tjerët” do të rifillojnë më 18 nëntor.