Protestë është mbajtur të hënën para Kuvendit të Kosovës nga punëtoret teknike që mirëmbajnë këtë institucion. Pas skadimit të kontratës paraprake me të cilin ata paguheshin 270 euro në muaj, kontrata e re parasheh pagesë prej 400 eurosh bruto. Mirëpo, lista e punëtorëve të angazhuar nuk është publikuar e drojë e grevisteve është se janë përjashtuar nga kjo listë, si ndëshkim për grevën
Para objektit të Kuvendit të Kosovës punëtoret që po mbajnë grevë tash e mbi 2 muaj të hënën kanë protestuar duke shprehur pakënaqësi me institucionin e Kuvendit dhe kompaninë e angazhuar për mirëmbajtje.
Gratë greviste nuk u lejuan që aktivitetin sindikal ta zhvillojnë brenda godinës së Kuvendit.
Grevën fillimisht e kanë nisur me kërkesën për rritje të pagës, pasi paguheshin nën minimalen e lejuar me ligj.
Të enjten kompanisë “Schafberger” i skadoi kontrata. E me tender njëburimor ajo iu ripërtëri një ditë më pas. Sipas marrëveshjes, për punëtoret teknike parashihet pagë 400 euro bruto.
Mirëpo, lista e punëtorëve të angazhuar nuk është publikuar. E grevistet druajnë se janë përjashtuar nga kjo listë si ndëshkim për grevën.
Përfaqësuesja e grevisteve, Nazife Krasniqi, ka thënë se angazhimi i punëtorëve të tjerë në Kuvend nga kompania e kontraktuar është i padrejtë.
“Do të qëndrojmë këtu deri të na bëhet zgjidhja derisa të hyjmë në vendet e punës të punojmë, aty ku kemi qenë, këtë zgjidhje po e kërkojmë vetëm të punojmë... Është rritur paga, ne kemi kërkuar dy muaj, në atë moment që është rritur paga, ne nuk na është lejuar të hyjmë në Kuvend, ajo është diçka ekstreme. Kemi kërkuar dy muaj të rriten pagat tash është ardhë tjetërkush dhe po i gëzon pagat e tona brenda, ajo është e papranueshme”, ka thënë Krasniqi.
Protesta e tyre është përkrahur edhe nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, anëtarët e të cilit iu bashkuan protestës të hënën.
E kreu i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se punëtoret nuk mund t’i heqë nga lista askush gjatë kohës sa janë në grevë dhe ka paralajmëruar edhe padi ndaj kompanisë.
“Greva jonë është e ligjshme dhe veprimet që po i bën Kuvendi dhe kompania janë të paligjshme dhe ne normal që do të vazhdojmë në dy rrjedha: grevën dhe do ta vazhdojmë padinë në gjyq”, ka thënë ai.
Azemi ka thënë se gjatë ditës së hënë është takuar me përfaqësues të Kuvendit dhe sipas tij, atyre u është përcjellë mesazhi se greva është e drejtë.
KOHA ka dërguar pyetje te kompania “Schafberger”, por nuk ka marrë përgjigje.
Punëtoret e Kuvendit janë paguar 270 euro neto edhe në tetor, ani se në fillim të atij muaji hyri në fuqi vendimi i Qeverisë për rritjen e pagës minimale në 350 euro.