LAJMET E MBRËMJES

Punëtorët e sigurimit paralajmërojnë bllokimin e KEK-ut

Punëtorët e Sigurimit Fizik të KEK-ut kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës duke kërkuar që departamenti i tyre të kthehet nën menaxhimin e kësaj kompanie, siç ishte para se të privatizohej në vitin 2004. Përpos kësaj, ata kanë kërkuar përmirësim të kushteve të punës dhe rritje të pagës. Në të kundërtën, nga 24 marsi kanë paralajmëruar grevë

Punëtorë të sigurimit fizik të KEK-ut kanë protestuar të martën para Qeverisë, me kërkesën që Departamenti i Sigurimit Fizik të KEK-ut t’i kthehet publikes, siç kishte qenë deri në vitin 2004, kur edhe është privatizuar.

“Nuk lejojmë të shitemi”, “Ne jemi të huazuar dhe jo të privatizuar”, kanë qenë dy nga disa thirrjet e shprehura në pankartat që protestuesit i mbanin në duar.

Haki Azemi, kryetar i Sindikatës Mbrojtja dhe Siguria, ka thënë se privatizimi i sektorit të Sigurimit Fizik ua ka vështirësuar jetën punëtorëve.

Ai ka kërkuar përmirësimin e kushteve të punës, si dhe ngritjen e pagave. Sipas tij, rreth 400 punëtorë e kanë pagën mesatare 260 euro.

“Na kanë plaçkitur. E them me gojën e plotë, sepse në 2004, kur jemi ndarë ku padrejtësisht na ka ndarë KEK-u nga gjiri i vet, sot i kemi pagat e njëjta të atij viti 2004/2006. Është e njëjta me ditët e sotme”, ka thënë Azemi.

Ai ka thënë se çmimi i shportës familjare ka ndryshuar ndër vite, por pagesat e tyre kanë mbetur po ato të njëjta.

Organizatorët e protestës i kanë dhënë kohë Qeverisë deri më 24 mars që të reflektojë. E reflektim për ta nënkupton kthimi nën menaxhimin e KEK-ut ose së paku të fillojnë negociatat për këtë.

“Në qoftë se Qeveria, ministria edhe KEK nuk merren me punën tonë seriozisht, me datën 24 mars unë paralajmëroj nga këtu grevë gjithëpunëtore. Do t’i mbyllim laurat e KEK-ut”, ka thënë Azemi.

Këto kërkesa Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës i ka cilësuar si të arsyeshme.

“Besojmë shumë dhe presim që kërkesat e drejta dhe të arsyeshme të punëtorëve të Departamentit të Sigurimit Fizik në KEK-ut të shqyrtohen dhe punëtorëve t’u jepet mbështetja e duhur institucionale duke i realizuar kërkesat e tyre të drejta dhe të arsyeshme”, thuhet në kumtesën e BSPK-së.

Punëtorët e Sigurimit Fizik të KEK-ut që nga viti 2004 nuk paguhen nga shteti. Ata kërkojnë që t’i kthehen publikes për t’i realizuar kushtet më të mira të punës.