LAJMET E MBRËMJES

Punëtorët e “Pastërtisë” në Ferizaj e Shtime në grevë, kërkojnë kushte më të mira

Punëtorët e “Pastërtisë” në Ferizaj të hënën kanë filluar grevë, me kërkesë për rritje të pagave rreth 50 euro dhe kompensimin e kontributeve pensionale. Sipas përfaqësuesve të Sindikatës, greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave. Nga menaxhmenti i ndërmarrjes thonë se nuk kanë marrë kërkesë zyrtare nga punëtorët.

Mbeturinat janë grumbulluar në këtë pjesë në qendër të qytetit të Ferizajt, e nuk dihet se kur do të mblidhen.

Kjo, pasi që të hënën, rreth 280 punëtorë të Kompanisë Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave në Ferizaj kanë filluar grevë, me kërkesë për rritje të pagës dhe kompensimin e 28 muajve të kontributeve pensionale.

Greva është duke u mbajtur vetëm nga punëtorët e Ferizajt dhe Shtimes, ndërsa ata të Kaçanikut janë duke operuar normalisht.

Kryetari i Sindikatës, Mexhid Ramusa, tha se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave.

“Para 2 muajve i kemi paralajmëruar menaxhmentin për arsye se Kompania më shumë se 28 muaj nuk i ka paguar kontributet pensionale të punëtorëve, pagat e ulëta dhe punësimet e paligjshme në Administratë, kanë bërë që t’i ndërmarrim këta hapa për grevë”, theksoi Ramusa.

Punëtorët e “Pastërtisë” nuk pranuan të deklarohen, pasi thanë se menaxhmenti mund t’u hakmerret.

Prapa kamerave u ankuan edhe për kushtet e punës, duke thënë se detyrohen që edhe dorezat e pajisjet e tjera t’i blejnë me mjete vetanake.

E Basri Syla, kryeshef i ndërmarrjes “Pastërtia”, theksoi se nuk kanë marrë ende kërkesë zyrtare nga punëtorët, teksa tregon se për kërkesat e tyre është informuar nga rrjetet sociale.

Sipas Sylës, pagesat janë rritur para katër muajve me nga 50 euro.
“Atëherë ka qenë kërkesa 100 euro, në negociata nuk kemi pasur mundësi 100 euro. Është rritë 50 euro dhe shujta nga 1 euro për secilin punëtorë, që nënkupton rreth 75 deri në 80 euro është rritë. Realisht se gati është përmbushur kërkesa e tyre”, deklaroi Syla.

Zyrtarë komunalë thonë se do t’i jepet një afat i caktuar menaxhmentit dhe nëse nuk shqyrtohet çështja e grevës, do të ketë masa.

“Në qoftë se vazhdohet me greva me mos punë, në qoftë se rrezikohet për shkak të Ligjit siguria e qytetarëve atëherë do ta shqyrtojmë mundësinë e ndërprerjes së të gjitha marrëveshjeve që kemi me “Pastërtinë”, tha nënkryetari i Komunës së Ferizajt Lulzim Aliu.

Përmes njoftimit, “Pastërtia” ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe kërkoi që mbeturinat të mos hidhen jashtë kontejnerëve.