LAJMET E MBRËMJES

Punëtorët e KEK-ut kërkojnë rritje të pagave, paralajmërojnë grevë

Qindra punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë protestuar sërish para zareve qendrore të kësaj ndërmarrje duke kërkuar rritje pagash dhe pagesës për shujta. Ata kanë akuzuar Bordin aktual dhe menaxhmentin që nuk po mendon për punëtorët, teksa kanë paralajmëruar se nëse nuk merren për bazë kërkesat e tyre do të ketë grevë. Kërkesat e tyre i parashtruan edhe para Qeverisë

Dy sindikatat e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës janë bërë bashkë për të protestuar edhe njëherë para zyrave qendrore të kësaj ndërmarrjeje, duke kërkuar rritje të pagës dhe rritje të vlerës së shujtës së ushqimit. Pak ditë pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi, me dyshimin se ka kryer tri vepra penale, punëtorët kanë kritikuar menaxhmentin dhe Bordin, duke thënë se nuk po kujdesen për kushtet e punëtorëve.

Por, kryetari i Sindikatës së re të KEK-ut, Nexhat Llumnica ka thënë se protesta e tyre nuk ka karakter politik. Ai ka paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, do të ketë grevë, ndërsa protesta tjetër nuk do të jetë e qetë si ajo e së premtes.

“Punëtorët e KEK nuk janë të veshur me ngjyra politike e partiake, por janë të veshur me rrobat e KEK, janë të veshur me uniformë, deri në ora 3 ose në ora 4, prandaj lus Qeverinë që të ndikojë të bordi, menaxhmeti i KEK-ut, të ndikojë që ta rrisin pagën e punëtorëve më të merituar në Kosovë” , ka thënë ai.

Punëtorët ka kërkuar edhe rritjen e pagesës për shujtë e cila sipas tyre aktualisht është 1 euro e 74 centë.

“ Të rritet shujta e ushqimit pasi është hajgare me thënë se dikush e ka një shujtën e ushqimit 1.74 centë në inflacionin që po ndodh. Të nderuar punëmarrës, ne me ju do të jemi të vendosur dhe nuk do të lëshojmë pe në këtë drejtim. Por, edhe një gjë po ju them se nuk do t’ia plotësojmë dëshirat që të bëjnë biznese me prodhimin e energjisë elektrike. Nuk do t’ia plotësojmë këtë dëshirë asnjëherë. Ne jemi duke menduar se disa individë, apo bordi i KEK-ut po dëshiron të na imponojë grevën, e cila nuk do të anashkalohet asnjëherë”, ka thënë ai.

Kryetari i sindikatës tjetër të punëtorëve të KEK-ut, Avni Grajqevci ka thënë se dy sindikatat e KEK-ut do të jenë unike në kërkesat e tyre për rritje të pagave dhe rritje të shujtës ushqimore.

“Ne jemi unikë në kërkesën tonë që është krejtësisht legjitime, e që është rritja e pagës”, ka thënë ai.

Selatin Sadiku, nënkryetar i Sindikatës së re të Punëtorëve të KEK-ut, ka thënë se punëtorët e KEK-ut punojnë në kushte të vështira ani pse ka buxhet.

“Kushte më të rënda e më të vështira se punëtorët e KEK nuk ka, në këtë vit na kanë vdekur 12 punëtorë. Punëtorët tonë me duart e tyre e mbajnë KEK-un e shtetin gjallë, buxheti ma i madh është i KEK-ut. Ne jemi shtet në shtet”, ka thënë ai.

Sadiku akuzoi kryeshefin e pezulluar të KEK, Nagip Krasniqi, i cili është në paraburgim për dyshime për keqpërdorime, se ka gënjyer punëtorët për rritje të pagave.

“Nëse dikush nuk mendon se Nagip Krasniqit nuk ia kemi pa hairin për 1 vit e gjysmë gabon. Nagip Krasniqi është ai që i bashkoi krejt punëtorët e korporatës dhe dy sindikatat që tash janë bashkë. Por, me datën 3 prill, menaxhmeti dhe bordi na ka rrejt me një komunikatë për ngritje të pagave, kinse merret vendimi për rritje të pagave. Le që na kanë rrejt por edhe na kanë vjedhë. Kështu që hajnat në burg”, shtoi Sadiku.

Në përkrahje të Sindikatës së KEK-ut ishte edhe Sindikata e Administratës Publike, BSPK-ja dhe SBASHK-u.

“Ne jemi dhe do të vazhdojmë të jemi krenarë se ju dhatë gjithçka që Kosova të ndriçohet, që Kosova të zhvillohet. Ne në kohën kur bota kishte krizë për energji, ju nuk na latë asnjëherë pa të. Ndoshta dikujt nga Qeveria i ka interesuar që të dështojë KEK por nuk ja ka arritur”, ka thënë Ali Gashi, nga Sindikata e Administratës Publike.

Protestuesit pas protestës para zyrave të KEK-ut marshuan drejt objektit të Qeverisë, duke kërkuar nga ekzekutivi që t’i adresojë tek Bordi i ndërmarrjes kërkesat. E më pas, pranë zyrave Qendrore në KEK i lanë pankartat që mbanin gjatë protestës.

Nga Bordi dhe menaxhmenti i ndërmarrjes kanë thënë se i konsiderojnë punëtorët si pjesë vitale të korporatës dhe se janë të gatshëm që të angazhohen për përmirësim të kushteve dhe ngritjen e mirëqenies së tyre.

“Bordi i Drejtorëve dhe menaxhmenti kanë zhvilluar disa takime me sindikatat përkatëse, me ç’rast u janë dhënë sqarime konkrete mbi gjendjen aktuale, mirëpo këto diskutime do të vazhdojnë edhe më tej për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme dhe në të mirë të korporatës. Bordi i Drejtorëve dhe menaxhmenti pret mirëkuptimin nga sindikatat dhe të gjithë punonjësit për angazhime të përbashkëta”, thuhet në reagimin e KEK-ut.

Punëtorët e KEK-ut kanë protestuar edhe më 16 mars për kërkesat e njëjta. Krahas dy kërkesave kryesore, ata po kërkojnë edhe pagesën për punë në vikend sipas Ligjit të Punës.

Paga minimale e punëtorëve të KEK-ut është mbi 600 euro.