LAJMET E MBRËMJES

Protestuesit thirrje institucioneve: Ndëshkoni dhunuesit

Është mbajtur protesta e thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist pas rastit të përdhunimit të 11-vjeçares. Protestuesit thonë se faji qëndron te sistemi qeverisës, pasi që, sipas tyre, sistemi është bashkëpunues me dhunuesit. Ata kanë paralajmëruar se kjo është protesta e fundit paqësore, në rast se shteti nuk bën asgjë për kërkesat e tyre

Burgim të përjetshëm ndaj autorëve të dyshuar për përdhunimin e një vajze 11-vjeçare kanë kërkuar pjesëmarrësit e protestës së organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist. Qindra gra e burra, të mërkurën, kanë marshuar nëpër qendër të Prishtinës, duke bllokuar edhe rrugët. Protesta ka filluar nga sheshi “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë dhe ka përfunduar te Kuvendi dhe selia e Qeverisë.

Duke brohoritur me thirrjet: “Burgim të përjetshëm”, “ Pesë burra, shtatë ore, çika njëmbëdhjetë vjeç”, “Çika e gra, jemi bashkë krah për krah”, “ Në burg dhunuesit” e shumë shprehje të tjera përkrahëse, protestuesit kanë adresuar kritika ndaj sistemit qeverisës, duke e quajtur patriarkal e bashkëpunues me dhunuesit.

“Të kërkojmë përgjegjësi institucionale edhe politike dhe të çojmë mesazhe solidariteti me krejt vajzat e gratë që kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës a që frikësohen çdo ditë që një gjë e tillë do t’u ndodhë. Përdhunimi i vajzës 11-vjeçare nga pesë burra e djem kriminelë është edhe një akt tjetër i këtij sistemi patriarkal, i cili vazhdon të prodhojë burra përdhunues mbi trupin e vajzave dhe grave”, kanë thënë një aktiviste nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim feminist.

Protestuesit kanë paralajmëruar shtetin dhe Policinë se kjo do të jetë protesta e fundit paqësore, në qoftë se nuk realizohen kërkesat e tyre.

“Nëse ju nuk na i parandaloni dhe ndëshkoni dhunuesit, ne do ta bëjmë këtë. E përderisa ju jeni duke dështuar të na mbroni se edhe ju jeni armiku ynë, edhe ndaj jush do të ngrihemi, edhe juve do t’ju luftojmë. Nëse ju nuk filloni me procedimin e kërkesave tona për krijimin e mekanizmave efektivë, të cilin e trajtojnë me dinjitet të mbijetuarën e dhunës… trajtimin e drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për abuzuesit dhe legalizimin, përdorimin edhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje”, ka shtuar aktivistja.

Protestuesit kanë vazhduar të qëndrojnë ulur në oborrin e Qeverisë, duke brohoritur e kërkuar dënimin me vdekje të të dyshuarve. Vetëm një ditë më parë është mbajtur edhe një protestë me thirrjet e njëjta.

Policia e Kosovës ka njoftuar në fundjavë për dyshimin se një vajzë 11-vjeçare është dhunuar nga pesë persona. Krimi, sipas raportit, dyshohet se ka ndodhur të shtunën, ndërsa denoncimi është bërë një ditë me vonë. Në mesin e të dyshuarve janë edhe persona me të kaluar kriminale – me shumë aktakuza e dënime të formës së prerë.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj E.R, G.R, G.J, SH.K dhe Xh.S, të gjithë të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares.