Paralajmërimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër e kanë kundërshtuar të enjten një grup i serbëve të veriut. Në protestën e organizuar në Mitrovicën Veriore ata u deklaruan jo vetëm kundër hapjes së urës, por edhe kundër veprimeve të autoriteteve për ndaljen e përdorimit të dinarit për transaksione e pagesa, si dhe mbylljen e njësive ilegale të Postës së Serbisë. Protestën e ka komentuar edhe kryeministri Kurti. E ka quajtur të drejtë demokratike që duhet ta ushtrojnë qytetarët e Kosovës
Serbë të komunave të veriut protestuan të mërkurën pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës për ta hapur për automjete urën qendrore mbi lumin Ibër, e cila ndan qytetin e Mitrovicës.
Në krye të protestës janë parë udhëheqës të Listës Serbe, si kryetari Zlatan Elek e ish-deputetët Slavko Simiq e Igor Simiq. Kjo parti mban lidhje të forta me Beogradin zyrtar dhe pikërisht përfaqësues të saj braktisën institucionet lokale e qendrore afro dy vjet më parë, pas vendimit të Qeverisë për konvertim të targave ilegale serbe në ato të Kosovës.
Fjalimin qendror para protestuesve e mbajti njëri nga të dorëhequrit, gjyqtari Nikola Kabashiq. Ai simuloi një proces të shpejtë votimi për urën.
“Kjo është forma më demokratike e qëndrimit të njerëzve që jetojnë në veri. Ne nuk e pranojmë atë vendim, i cili është marrë me pretekstin e lirisë së lëvizjes. Sigurisht që edhe tani ka liri lëvizjeje. Kalojmë urën dhe shqiptarët vijnë në veri. Vijnë në dyqanet tona, farmacitë...”, tha ai.
Ai bëri thirrje për unitet të serbëve në Kosovë, veçanërisht në veri.
“Ose duhet të organizohemi bashkë, ose do të na përzënë një nga një. Kam ku të shkoj, por nuk dua. Kam planifikuar të qëndroj këtu dhe të vdes këtu”, ka thënë ai.
Mes protestuesve pati edhe aktivistë politikë që janë kundërshtarë të Listës Serbe, përfshirë kryetarin e Partisë së Serbëve të Kosovës, ish-ministri Aleksandar Jabllanoviq.
Protestuesit mbajtën në duar pankarta me mbishkrimet: “Nëse Kurti e hap urën, KFOR-i dhe QUINT-i do të jenë përgjegjës për gjithçka”, “Derisa BE-ja dhe SHBA-ja shkruajnë deklarata, neve po na dëbojnë” dhe “Kërkojmë nga KFOR-i të na mbrojë”.
E, referuar protestës kryeministri Albin Kurti, nëpërmjet Facebookut, tha se shqetësimet për urën do të trajtohen, por mbrojti qëndrimin se ajo duhet hapur.
“Për shumë gjatë ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”.
Kurti përgëzoi institucionet e sigurisë që u kujdesën për mbarëvajtjen e protestës, për të cilën tha se ka përfunduar pa asnjë incident.
“Protesta e mbajtur sot në Mitrovicë të Veriut përfundoi pa asnjë incident. I falënderoj institucionet e sigurisë që garantuan mbarëvajtjen e qetë të saj. Protestat janë e drejtë demokratike të cilën e gëzojnë dhe mund ta ushtrojnë të gjithë qytetarët e Republikës sonë, pa dallim”, shkroi Kurti. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në diskutimin me temën "Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile", që do të organizohet të enjten në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut.
“I ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre, të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.
Por, ura nuk qe shqetësimin i vetëm i protestuesve. U ankuan për ndalimin e dinarit si valutë për kryerjen e transaksioneve e pagesave, e edhe për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri, që kanë operuar pa licencë.
“Kanë mbyllur postën, e kanë anuluar dinarin dhe me këtë jemi mbyllur edhe këtu. Duhet të shkojmë në Rashkë të marrim pensionet. Askush nuk na pyet se sa janë shpenzimet tona”, tha pensionistja Dushanka Vlahoviq para protestuesve.
Për mbylljen e filialeve të Postës së Serbisë u ankua edhe vetë drejtori i saj, Ivan Milojeviq.
“Ata e mbyllën Postën në veri. Pres të njëjtën gjë edhe në jug. Ne presim vetëm mbyllje prej tyre... E vetmja mënyrë është që ne të qëndrojmë bashkë dhe t’i kundërshtojmë ata dhe le të na arrestojnë”, tha ai.
Pas rreth një orësh, protesta u përmbyll e protestuesit u shpërndanë.
Sipas Policisë, ajo ishte e qetë.
“Policia e Kosovës është kujdesur për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe ofrimin e sigurisë për protestuesit para, gjatë dhe deri në përfundim të protestës. Rreth orës 12:00, protesta ka përfunduar e qetë dhe protestuesit janë shpërndarë, përderisa njësitet policore kanë vazhduar me detyrat e rregullta policore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Edhe KFOR-i vlerësoi se protesta përfundoi pa ndonjë shqetësim për sigurinë. Megjithëkëtë ky mision përsëriti qëndrimin e dhënë ditë më parë se është i gatshëm t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për t’i luftuar zhvillimet, të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.