LAJMET E MBRËMJES

Protestë kundër rritjes së çmimit të energjisë, 12 aktivistë u shoqëruan në Polici

Dymbëdhjetë aktivistë të nismës “Asnji cent më shumë” janë shoqëruar për dy orë në Policinë e Kosovës për pengim të zyrtarëve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për t’u futur në vendin e tyre të punës. Aksioni që filloi në orën 8 të mëngjesit, u ndërpre nga Policia e Kosovës. Aktivistët e kësaj nisme kanë paralajmëruar aksion të njëjtë deri të marrin një aprovim nga ZRRE-ja që nuk do të ketë shtrenjtim të rrymës

Mëngjesin e së mërkurës, Zyrat e Rregullatorit për Energji (ZRRE) janë bllokuar nga disa aktivistë të nismës “Asnji cent më shumë”, duke penguar hyrjen e zyrtarëve të këtij institucioni, në shenjë pakënaqësie për propozimin për rritjen e çmimit të energjisë prej 15 për qind. Por, largimi i aktivistëve nga aty u bë nga Policia e Kosovës, ku 12 prej tyre u shoqëruan në Polici për rreth dy orë, e më pas u liruan.

Aktivistët kanë paralajmëruar se të njëjtin veprim do ta bëjnë edhe në ditët në vijim deri sa të marrin një zotim nga ZRRE-ja se nuk do ta aprovojnë propozimin për shtrenjtim të rrymës.

Në konferencë për media mbajtur në orët e pasdites para ndërtesës ku ndodhet ZRRE-ja, ata kanë akuzuar Policinë për mbrojtje të interesave të kompanive private.

Auron Doli, aktivist i kësaj nisme, ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen aktivitetit të tyre.

“Sot në ora 8 e kemi nisur një bllokadë ku pas pak pas një ore Policia e Kosovës me anë të arrestimit me anë të grushteve na largoi nga aty dhe pengoi bllokadën. Ne sot jemi mbledhur për t’i thënë qytetarëve që të na bashkohen në bllokadë këtu pranë zyrave të ZRRE-së”, ka thënë Doli. 

Edhe Dibran Hoxha pjesëmarrës i protestës ka folur për qëllimin e këtyre aksioneve, duke thënë se kjo është një formë për të penguar marrjen e vendimit nga ZRRE-ja për tarifat e reja të energjisë.

“Ne kemi konsideruar që në këtë fazë, bllokada është mjeti më efektiv që anëtarët e ZRRE-së të mos i lëmë të marrin vendime, pasi në momentin që këta hyjnë në zyrë edhe e marrin vendimin, një mjet i presionit është bllokada për mua që mos me i lanë me marrë vendimin për mos me i lanë me hy në zyrë”, ka deklaruar Hoxha. Ai ka folur edhe për shoqërimin e aktivistëve në polici.

“Policia ka ushtruar dhunë brutale joproporcionale. Ne jemi me duar në xhepa ose krah me njëri-tjetrin. Me të qitë në tokë, me ta qitë çizmen në fytyrë dhe me të shkelmu pa pikë nevoje është absurde. Po më doket si një lloj sinkroni që vjen nga presidenca te Ministria e Ekonomisë, te Qeveria e tani edhe që vjen deri te policia e që këta krejt janë në shërbim të KEDS-it për t’ia siguruar marzhën e fitimit, e këndej qytetarëve i rëndohet barra”, ka thënë ai.

Ndaj aksionit të aktivistëve ka reaguar Zyra e Rregullatorit të Energjisë, e cila ka kërkuar nga qytetarët të mos pengojnë ushtrimin e detyrave të saj konform mandatit që ka.

“ZRRE respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, si një e drejtë e garantuar nga ligjet e Republikës së Kosovës. ZRRE në vazhdimësi angazhohet për një proces të hapur, të drejtë dhe transparent në shqyrtimin e çdo komenti nga qytetarët dhe palët e interesuara, duke siguruar që çdo vendim të merret në përputhje me legjislacionin ne fuqi”, thuhet në reagim.

Kundër propozimit për rritje të çmimit të energjisë më 5 prill do të mbahet një protestë e thirrur nga nisma “Asnji cent më shumë”. Në këtë protestë do të marrë pjesë edhe grupi që të mërkurën i bllokoi zyrat e ZRRE-së e që mban emrin e njëjtë. 

Vendimi i ZRRE-së pritet të merret më 11 prill pas shqyrtimit të komenteve të dorëzuara nga palët dhe qytetarët deri më 28 mars.